Shpenzimet e buxhetit 2024, ku shkuan mbi 3 miliardë euro?

Qeveria e Kosovës nuk arriti t’i shpenzojë gati  120 milionë euro nga buxheti i vitit 2024. Përderisa shpenzimet për kategori të ndryshme kanë pësuar rritje, për investime kapitale kanë mbetur të pashpenzuara rreth 200 milionë euro të planifikuara, ndërkohë që për të tjerat, si për transfere sociale, mallra, subvencione, dhe paga, shpenzimet kanë qenë më të mëdha krahasuar me vitin e kaluar. Derisa analistët kritikojnë mënyrën e shpenzimit të buxhetit 2024, raporton KosovaPress.

Sipas Institutit GAP, referuar raportit zyrtar të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve mbi 3.195 miliardë euro u shpenzuan gjithsej pagesa në vitin e kaluar nga mbi 3.314 miliardë sa ishte miratuar buxheti. 

Ky raport thotë se në janar të vitit 2024 janë shpenzuar mbi 140 milionë euro, pasuar nga muajt e tjerë me mbi 210 milionë euro, përveç dhjetorit ku u shpenzuan mbi 580 milionë euro. 

Sipas GAP-it, mbi 650 milionë euro kanë shkuar për shpenzime kapitale. Ndërsa, për subvencione mbi 1 miliard e 114 milionë euro. 

Ata thonë se krahasuar me vitin 2022 dhe 2023, ka një dinamikë të përshpejtuar të shpenzimit të buxhetit.

Drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj në një pronocim për KosovaPress thotë se krahasuar me dy vitet e kaluara, në 2024-ën ka pasur shpenzim më të lartë për investime kapitale. 

Sa i përket buxhetit total në realizim, në vitin 2023, Qeveria e Kosovës nuk arriti t’i shpenzojë mbi 286 milionë euro, në vitin 2022, mos shpenzimi i buxhetit ishte mbi 123 milionë euro.

Ndërkaq, lidhur me atë se shpenzimi i buxhetit të vitit 2024 kishte marrë hov më shumë muajt e fundit, sipas Hasajt kjo mund të ndodhë për shkak se bizneset i realizojnë punët më shumë në pjesën e dytë të vitit. 

Për këtë dinamikë të shpenzimit të buxhetit, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se duhet të rritet llogaridhënia dhe të ketë përgjegjësi. 

Ai shprehet se buxheti i Kosovës është i politizuar, e që sipas tij në këtë rast Kosova dëmtohet në vend se të zhvillohet. 

Eksperti i ekonomisë, thotë se orientimi i investimeve është më shumë i ngjyrosur politikisht siç potencon ai sesa që ka projekte konkrete. 

Sipas tij, mungesa e investimeve të mjaftueshme në projekte kapitale po e ngulfat zhvillimin ekonomik dhe po e pengon fuqizimin e sektorit privat. 

Në vitin 2023 për investime kapitale u shpenzuan afro 561 milionë euro, derisa në vitin 2022 kjo shifër ishte mbi 422 milionë euro. 


Njëjtë potencon edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, për çka thotë se shkak i mungesës së investimeve kapitale, është rritur importi. 

Shala thekson se për shkak të mos zbatueshmërisë së duhur të buxhetit, është rritur edhe papunësia në Kosovë. 

Përveç kësaj, Shala shprehet se mënyra e shpenzimit të buxhetit ka ndikuar direkt edhe në ngritjen e inflacionit. 

Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me shpenzimin e buxhetit 2024 dhe për mënyrën e mbështetjes së sektorit privat. 

Sipas raportit të GAP, në kuadër të buxhetit 2024, Qeveria e Kosovës ka rritur shpenzimet për gati në të gjitha kategoritë gjatë vitit të kaluar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023, raporton KosovaPress.

Vetëm për transfere sociale, janë shpenzuar mbi 780 milionë euro ose mbi 100 milionë më shumë gjatë vitit të kaluar krahasuar me vitin paraprak. 

Krahas shpenzimeve, për mallra dhe shërbime, janë shpenzuar 432 milionë e 541 mijë euro më 2024 ose 34.5 milionë euro më shumë se në vitin 2023.

Po kështu për subvencione dhe transfere nga kjo qeveri janë shpenzuar gjatë vitit që lamë pas 1 miliard e 114 milionë euro ose 35 milionë euro më shumë se në vitin 2023.

Përveç kësaj, për paga kjo qeveri ka shpenzuar 

843 milionë e 675 mijë e ose mbi 76 milionë më shumë se në vitin 2023.

Veç kësaj, për shpenzime kapitale janë shpenzuar mbi 650 milionë euro, derisa të planifikuara për këtë sektor kanë qenë 860 milionë euro. Në vitin 2023 ishin shpenzuar për investime kapitale mbi 560 milionë euro. 

Ndryshe, për vitin 2025, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin 3.6 miliardë euro, për vitin 2024 ishte 3.314 milirdë. Derisa në vitin 2023 vlera e buxhetit ishte mbi 3 miliardë e 212 milionë euro. Ndërkaq, në vitin 2022 buxheti i miratuar ishte 2 miliardë e 748 milionë euro.

Lajmi i plotë me parapagim.

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video