Shorti i kupës, flasin përfaqësuesit e klubeve

Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës është bërë tërheqja e shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Në këtë fazë kanë arritur të kualifikohen tetë skuadra, të cilat do të garojnë për katër vende në gjysmëfinale.

Skuadrat që janë kualifikuar për çerekfinale janë: Drita, Prishtina, Vëllaznimi, Drenica, Malisheva, Llapi, Prishtina e Re dhe Ferizaj, raporton KosovaPress.

Nga shorti i hedhur kanë rezultuar çiftet e mëposhtme:

Drenica-Ferizaj

Malisheva-Llapi

Prishtina e Re-Drita

Vëllaznimi-Prishtina


Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, pas shortit theksoi se Drita duhet të jetë shumë e kujdesshme përball Prishtinës së Re sepse kjo skuadër ka shumë cuilësi dhe mund të shkaktojë befasi.

Zymberi: Prishtina e Re rival shumë cilësor

“Në momentin që jemi në këtë pikë të garës të gjitha ekipet të cilat janë kualifikuar dhe të cilat kanë qenë në short janë potencialisht ekipe të niveleve të njëjta kështu që normalisht që shorti deshi që të jemi përballë Prishtinës së Re, një ekip që ka treguar jashëtzakonisht cilësi edhe në këtë pikë të garës mendoj që duhet të jemi shumë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm sepse çdo kundërshtar mund të shkaktoj befasi”, tha Zymberi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Prishtinës Kushtrim Sopa, skuadra e të cilit do të ballafaqohet me Vëllaznimin, deklaroi se përballja me Vëllaznimin nuk është aspak e lehtë, por që Prishtina synon ta eliminojë skuadrën gjakovare

“Prishtina sikur në çdo raund të kupës edhe në këtë raund secilin prej kundërshtarëve e respekton maksimalisht e në veçanti kuptohet Vëllaznimi është njëri prej klubeve më me traditë në futbollin e Kosovës dhe njëra prej klubeve më të trofeshme në futbollin kosovar para dhe pas luftës, kështu që me respektin maksimal ndaj tyre po do të ballafaqohemi sigurisht që Prishtina i ka objektivat e veta dhe pretendojmë të kalojmë tutje”, theksoi Sopa.

Vlerësim të lartë për Prishtinë pati pikërisht rivali i tyre, drejtori sportiv i Vëllaznimit, Edi Luzha. Ai theksoi se në këtë ballafaqim Prishtina është skuadër favorite, por që Vëllaznimi do të jap maksimumin për t’i befasuar ata.

“Pikësëpari është një lajm i mirë që pas një kohe Prishtina dhe Vëllaznimi do të ndeshen mes vete kur dihet historia e dy klubeve dhe besoj që ka do të jetë një shfaqje shumë e mirë mbi të gjitha. Ndërsa, sa i përket se kush është favorit, ajo vetëm dihet sepse Prishtina ka ekip shumë të mirë, shumë kualitative, ne jemi të fokusuar në ligë, por kjo nuk na ndalon që të luftojmë për ngjyrat e klubit gjë të cilën do ta bëjmë edhe me Prishtinën përpjekjen maksimale ndërsa në fund të fitojë më i miri”, theksoi Luzha.

Ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në mesjavën e 26 shkurtit.

Lexo edhe

Video