Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) zyrtarisht është pranuar anëtar i rrjetit evropian të burgjeve EuroPris.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka pranuar letrën zyrtare të konfirmimit për anëtarësim nga drejtori ekzekutiv i EuroPris, Gustav Tallving.
“Në emër të Bordit dhe Sekretariatit të EuroPris, kam kënaqësinë t’ju informoj se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në EuroPris është miratuar. Ne mirëpresim ngrohtësisht Shërbimin Korrektues të Kosovës në rrjetin tonë të respektuar të shërbimeve korrektuese evropiane, ku presim të forcojmë bashkëpunimin, shkëmbimin e njohurive dhe progresin e përbashkët në sektorin e burgjeve dhe provës,” thuhet në letër.
Ky vendim shënon një pikë kthese për integrimin ndërkombëtar të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke përforcuar pozicionin e tij si një institucion modern dhe i përkushtuar për standardet evropiane në sistemin e drejtësisë dhe atë korrektues.
Anëtarësimi ofron mundësi të reja për Kosovën, duke përfshirë, shkëmbimin e praktikave më të mira, ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe avancimin e reformave në sistemin korrektues të Kosovës.
EuroPris, si një platformë unike që lidh institucionet e burgjeve dhe atyre sprovuese në të gjithë Evropën, promovon standarde të larta, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Përmes këtij rrjeti, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe mësimeve të veta, duke përfituar gjithashtu nga praktikat më të mira të vendeve anëtare.
Përveç në EuroPris, Kosova është gjithashtu edhe anëtare e International Corrections and Prisons Association (ICPA).