Sjelljet jo profesionale nga stafi shëndetësor, mungesa e stafit të mjaftueshëm në vendin e punës dhe pritjet e gjata për terminë në Klinikën e Ortopedisë, Kirurgji dhe ambulancat specialistike janë disa nga shqetësimet që qytetarët i kanë adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë vitit 2024.
Sipas raportit të kësaj ministrie, gjatë vitit të kaluar, 164 qytetarë kanë paraqitur ankesa për shërbime shëndetësore përmes linjës telefonike, email-it dhe formave fizike.
Raporti vjetor i ankesave tregon se nga ky numër ankesash, vetëm 45 prej tyre morën përgjigje, ndërsa u shqiptua vetëm një vërejtje verbale dhe një gjobë.
Sipas raportit të pranuar në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka pasur asnjë ankesë të pranuar për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, megjithatë, natyra e ankesave përfshin pritjet e gjata në disa klinika.
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka bërë të ditur se mbi 160 ankesat që janë bërë nga pacientët vitin e kaluar janë një shifër e vogël krahasuar me realitetin, raporton KosovaPress.
Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra, u shpreh për KosovaPress se pacientët kosovarë kanë humbur besimin tek institucionet shkaku i trajtimit jo të duhur që ata marrin.
Edhe hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, mendon se numri i ulët i ankesave për shërbimet shëndetësore vjen si rezultat i mos adresimit serioz të tyre nga institucionet.
Meqenëse 52% e ankesave të pranuara nga Ministria e Shëndetësisë kanë të bëjnë me sjellje jo profesionale të stafit shëndetësor, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thekson se Odës së Mjekëve i janë dorëzuar më pak se 10 ankesa nga pacientët për qasjen e profesionistëve shëndetësorë karshi tyre.
Qytetarët kanë adresuar ankesa për shërbimet shëndetësore edhe tek Avokati i Popullit. Sipas një përgjigje për KosovaPress, ky institucion ka pranuar gjatë vitit 2024 gjithsej 19 ankesa në lidhje me cenimin e të drejtës shëndetësore.
Mungesa e barnave nga lista esenciale, pritjet e gjata për shërbime të ndryshme dhe shpenzimet e larta për shërbimet shëndetësore janë disa nga shqetësimet e ngritura.
Meqenëse në Ministrinë e Shëndetësisë nuk janë pranuar ankesa për Qendrën Klinike Universitar të Kosovës, ky institucion ka komisionin e saj të veçantë për trajtimin e ankesave të pacientëve.
Përkundër interesimit të KosovaPress për të marrë detaje për numrin e ankesave dhe natyrën e tyre që janë adresuar nga pacientit gjatë vitit të kaluar, nga QKUK kanë kthyer një përgjigje duke mos dhënë detaje. Në përgjigje tregohet vetëm për veprimtarinë e këtij komisioni, raporton KosovaPress.
Por, hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj pretendimet e MSH-së se nuk kanë pranuar asnjë ankesë për pacientët për QKUK nuk janë reale.
Linja e ankesave funksionon në Ministrinë e Shëndetësisë në kuadër të Divizionit për të Drejtat e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor që nga viti 2013.
Ankesat e drejtuara në linjën telefonike pranohen nga Divizioni për të Drejtat e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor dhe më pas adresohen tek institucionet ndaj të cilave parashtrohet ankesa. Në çdo ankesë të adresuar tek institucionet shëndetësore publike është i përfshirë edhe Inspektorati Shëndetësor, ndërsa ankesat ndaj institucioneve private shëndetësore adresohen direkt tek inspektorati shëndetësor.
Lajmi i plotë me parapagim.
/KosovaPress/