Me moton “Asgjë pa rrota” u shënua sot Dita Ndërkombëtare e përdoruesve të karrocës. Organizata joqeveritare “Handikos” ka mbledhur fëmijë e të rritur në qendrën tregtare “Prishtina Mall”, ku janë mbajtur aktivite të ndryshme rekreativë.
Drejtori i organizatës “Handikos”, Afrim Maliqi tha se qëllim është sensibilizimi dhe vetëdijësimi i institucioneve në përmbushjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, raporton KosovaPress.
“Qëllimi është sensibilizimi apo vetëdijësimi sa më i madh i shoqërisë tonë, apo në veçanti i institucioneve tona në përmbushjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht atyre që janë në këtë ditë sot përdorurs të karrocave. Për të pasur një karrocë është shumë e rëndësishme me qëllim të pjesëmarrjes së personave në jetën publike, madje përfshirjen në arsim, përfshirjen në punësim dhe në të gjitha fushat e tjera. Ne gjithherë e shënojme këtë ditë me aktivitete të ndryshme”, deklaroi ai.
Ai theksoi se personat të cilët janë përdorues të karrocave po diskriminohen në mungesë të qasjes në institucione.
“Nëse flasim për institucionet që nuk kanë qasje, as rrugët as trotuaret, atëherë ajo është diskriminuese. Personat me aftësi të kufizuara të këtij grupi janë të diskriminuar në lëvizje apo në qasje. Ky objekt apo kjo qendër i përmbush standardet, qasjen, lëvizjen e lirë, toaletet. Dhe duhet t’i përmbushin edhe institucionet tjera sepse ne kemi ligje dhe akte juridike të cilat theksojnë se çdo objekt që ofron shërbime duhet të krijojë qasjen për personat me aftësitë të kufizuara. E që fatkeqësisht nuk i përmbushin duke filluar nga institucionet e nivelit qendror apo lokal”, shtoi ai, shkruan KosovaPress.
Alvaro Costa, i cili është drejtor menaxhues në “Prishtina Mall” tha se po krijojnë të gjitha kushtet që personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje të lehtë në këtë qendër tregtare.
“Ne sigurisht po krijojmë të gjitha kushtet që personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje në qendrën tonë tregtare. Pra, që nga fillimi, ne kemi menduar për ta. Ne jemi qendra tregtare më moderne në Evropën Juglindore. Ne i kemi këto kushte, pasi po krijojmë dhe po ofrojmë një sërë lehtësirash në dispozicion, për këdo që dëshiron të jetë pjesë e Prishtina Mall, që dëshiron të na vizitojë. Pra, ne kemi për shembull, karroca invalidore në dispozicion për personat që i kërkojnë ato nga ne. Dhe sigurisht, e gjithë kjo është pjesë e përgjegjësisë sonë korporative, duke qenë një institucion i rëndësishëm, në Kosovë, dhe sigurisht, duke e njohur rëndësinë e të gjithë vizitorëve tanë, të përfaqësuar simbolikisht nga Handikos, këtu me Afrimin, me të cilin institucion bashkëpunojmë prej më shumë se një viti, pra pothuajse menjëherë pas themelimit tonë këtu në Prishtinë”, përfundoi ai.
Për femijë dhe të rritur, te cilët janë përdorues të karrocave u organizuan aktivitete si: maskota, parakalimi i pjerrinave dhe kinema.