Kulla historike Wilhelmina në qytetin holandez Valkenburg është shembur në rrethana të panjohura dhe një kërkim është nisur për viktimat e mundshme, tha qeveria e qytetit.
Kulla 30 metra e lartë ishte një atraksion popullor turistik. Kryebashkiaku i Valkenburgut, Daan Prevoo tha se shembja ndodhi në mëngjes kur zona e kullës ishte e paarritshme, kështu që autoritetet nuk presin viktima.
E ndërtuar në vitin 1906, kulla kishte një restorant dhe u ofronte vizitorëve mundësinë të ngjiteshin në majë.
Shkaku i shembjes do të hetohet, tha agjencia rajonale e mbrojtjes civile, duke shtuar se ende nuk dihet nëse ka viktima.
Instituti Meteorologjik Mbretëror i Holandës regjistroi lëkundje tokësore në stacionin e tij të monitorimit sizmik pranë Valkenburg në orën 5:31 të mëngjesit, gjë që mund të jetë shkaku i shembjes.
Qyteti u ka bërë thirrje turistëve të mos e vizitojnë ndërtesën e shembur dhe zona është rrethuar, raporton KosovaPress.