SHBA, hyjnë në fuqi tarifat për importet e çelikut dhe aluminit

SHBA, hyjnë në fuqi tarifat për importet e çelikut dhe aluminit

Të mërkurën hynë në fuqi tarifat e reja prej 25% për të gjitha importet e çelikut e të aluminit që hyjnë në territorin amerikan. Në këtë mënyrë Uashingtoni u dha fund përjashtimeve që kishin qenë në fuqi, për një numër vendesh aleate.

Vendimi prek importet nga Argjentina, Australia, Brazili, Britania, Kanadaja, Japonia, Meksika, Koreja e Jugut dhe Bashkimi Evropian.

“Në gjykimit tim, këto ndryshime janë të domosdoshme për të reduktuar peshën e konsiderueshme e në rritje të importeve të çelikut dhe nënprodukteve të tyre që vijnë nga këto vende, duke kërcënuar sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, tha Presidenti Donald Trump në një deklaratë ndërsa njoftoi tarifat, përcjell VOA.

Bashkimi Evropian u kundërpërgjigj të mërkurën duke njoftuar se do të vendosë tarifa për 28 miliardë dollarë mallra amerikane, duke filluar nga muaji prill.


“Ne do të vazhdojmë të jemi gjithmonë të hapur për negociata. Ne besojmë fuqishëm se në një botë të mbushur me pasiguri gjeopolitike dhe ekonomike, nuk është në interesin tonë të përbashkët, të ngarkojmë ekonomitë tona me tarifa”, tha në një deklaratë Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kryeministri australian Anthony Albanese e quajti vendimin e Uashingtonit “krejtësisht të pajustifikuar”, por përjashtoi mundësinë për vendosjen e tarifave reciproke.

Po sot Kanadaja njoftoi sot se do të vendosë tarifa për 29.8 miliardë dollarë mallra amerikane, që hyjnë në fuqi të enjten në mëngjes. Njoftimi u bë nga ministri kanadez i Financave Dominic LeBlanc.

Lufta tregtare e Trump me Kanadanë dhe Meksikën ka shkaktuar rënien e çmimit të aksioneve për ditë të tëra, duke ndikuar jo vetëm tek amerikanët e pasur, por dhe kursimet e shumë investitorëve.

Lexo edhe

Video