Të akuzuarit për spiunazh për BIA-n serbe nuk e pranojnë fajësinë

Në seancën e shqyrtimit fillestar të akuzuarit për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale spiunazh, ndërsa, i akuzuari, Muharrem Qerimi pranoi fajësinë për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

I akuzuari, Bedri Shabani teksa mohoi akuzën për veprën penale spiunazh u kthye nga kamerat duke bërë simbolin me gisht, të njohur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, raporton KosovaPress.

“I nderuar gjykatës plotësisht jam i pafajshëm”, u shpreh ai.

Akuzën për spiunazh e mohoi edhe i akuzuari tjetër, Muharrem Qerimi, por ky i fundit e pranoi fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale spiunazh, kurse për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, theksoi ai.

Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu kërkoi nga trupi gjykues ta pranoj fajësinë e Qerimit për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.


Edhe mbrojtësi i Qerimit, avokati Betim Shala u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e klientit të tij lidhur me veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Pas pranimit të fajësisë për “armëmbajtje pa leje”, nga i akuzuari Muharrem Qerimi, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri miratoi pranimin e fajësisë nga ky i akuzuar.

Më pas, nxori aktvendim që shpallja e aktgjykimit për armëmbajtje pa leje është shtyrë deri në përfundim të kësaj çështje penale.

Trupi gjykues njoftoi se për veprën e spiunazhit palët kanë të drejtë në afat prej 15 ditësh të paraqesin kundërshtimin e provave apo kërkesë hedhje të aktakuzës.

Seanca e kaluar e shqyrtimit fillestar në këtë rast gjyqësor ishte ndërprerë me kërkesë të të akuzuarit, Bedri Shabani i cili kërkoi afat shtesë për lexim të aktakuzës, përcjell KosovaPress.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video