Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi në 26 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-së kundër barbarisë së Serbisë ndaj popullit të Kosovës, ka shkruar se duke u bazuar në vendosmërinë e NATO-s dhe në aleancat e reja kundër kërcënimit serbo-rus në Ballkan, Serbia e vitit 2025 është më shumë një hienë politike se sa një armik i hapur – një aktor që shtiret si viktimë e që ulërin nëpër forume ndërkombëtare për “drejtësi”, por që në prapaskenë kërcënon, nxit tensione dhe përgatitet për të goditur në qoftë se nuhat dobësinë e kundërshtarit.
Fetoshi ka theksuar se “ulërimat” e Serbisë kundër marrëveshjes së mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë (18 mars 2025) shfaqin frikën e saj, jo nga sulmi të cilin e din se nuk do të vijë, por nga dështimi i planeve “grabitçare”.
Ky është opinioni i plotë:
Kur agresori maskohet si viktimë
Autor: Prof. Dr. Asoc. Arben Fetoshi – Drejtor
Çka fshihet pas narrativës anti – NATO të Serbisë?
Edhe në 26 vjetorin e ndërhyrjes të NATO-s kundër barbarisë, siç vlerësonte Tony Blair në fjalimin “Doctrine of International Community” më 22 prill 1999 në Chicago, Serbia vazhdon të mos kërkojë falje për gjenocidin dhe të kamuflohet si hienë politike në linjë me qëllimet e Rusisë. Me retorikën e viktimës, ajo tenton të fshehë spastrimin etnik dhe vrasjet e masakrat në Kosovë, të cilat sipas organizatave për të drejtat e njeriut “nuk i lanë alternativë” ndërhyrjes së NATO-s (Under Orders: Ëar Crimes in Kosovo”, HRË, 2001). Duke e dënuar aleancën mbrojtëse të Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë si kërcënim dhe shkelje të marrëveshjes për kontrollin e armëve (1996), Vuçiq e “harron” armatosjen e Serbisë në vitet e fundit, ndërsa duke i “ankuar” qytetarët serbë për pasojat e bombardimeve, Serbia ushqen “ndjenjën e padrejtësisë” si një parakusht për skenarët e ri të dhunës.
Serbia si zgjatim i Rusisë
Për shkak të fushatës së krimeve dhe spastrimit etnik në Kosovë, më 24 mars 1999 NATO filloi bombardimet kundër caqeve ushtarake të RFJ-së. Pasojat e agresionit të saj në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, e kishin bindur komunitetin ndërkombëtar për domosdoshmërinë e reagimit të ashpër kundër Millosheviqit. Krimet monstruoze në Kosovë me mbi 13 mijë civilë të vrarë e të masakruar, gati një milion të dëbuar me dhunë dhe mijëra gra e vajza të dhunuara, e legjitimuan “përdorimin e forcës ndaj shkeljeve masive të të drejtave të njeriut”, vlerësonte asokohe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan. Ndërkaq, Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, theksonte në kujtimet e saj se nuk mund të lejonin spastrimin etnik në zemër të Evropës (Albright, M. (2003). Madam Secretary, Miramax Books). Zëdhënësi i NATO-s në atë kohë, Jamie Shea, sipas të cilit, ndërhyrja i kishte paraprirë doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur”, sot e kujton rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe të fuqishëm të aleancës. Mirëpo, pavarësisht të vërtetës, ashtu si në çdo përvjetor, Serbia vazhdon të ankohet për “agresionin” dhe “padrejtësinë historike”, si një narrativë strategjike për mohimin e krimeve në Kosovë dhe për portretimin e NATO-n si “armike” të popullit serb. Në këtë pikë godet edhe reagimi i sotëm i Milorad Dodik – i sanksionuar nga SHBA-të dhe i kërkuar nga drejtësia në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të veprave kundër rendit kushtetues – i cili, duke përdorur retorikë emocionale, e denoncon NATO-n si “aleancë kliminale që ka hedhur bomba mbi fëmijët”. Retorikë të tillë dhe narrativa manipuluese të përhapura edhe nga kisha, Serbia ka përdorur vazhdimisht për ta thelluar armiqësinë e qytetarëve me Perëndimin dhe për t’i forcuar lidhjet me Rusinë. Duke e konsideruar provokim dhe kërcënim çdo marrëveshje apo zgjerim të NATO-s e të BE-së, ajo manifeston frikë nga demokracia dhe zgjatim të interesave gjeopolitike ruse në Ballkan. Ndonëse kamuflohet si e moderuar, ajo vazhdon agresionin kundër Kosovës, vazhdon të armatoset dhe ndërhyn në Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi. Kjo do të thotë se retorika e saj kundër NATO-s nuk është thjesht zemërim historik, por përgatitje për skenarë të ri dhune e destabilizimi. Përmes propagandës së viktimës, ajo po e rimbush armën për qëllimet e vjetra ekspansioniste. Prandaj, beteja për të vërtetën nuk është e ndarë nga beteja për paqen në rajon: neutralizimi i kësaj propagande nuk është thjesht detyrë për të vërtetës historike, por edhe imperativ për të ardhmen pa gjak.
Serbia në rolin e hienës
Duke u bazuar në vendosmërinë e NATO-s dhe në aleancat e reja kundër kërcënimit serbo-rus në Ballkan, Serbia e vitit 2025 është më shumë një hienë politike se sa një një armik i hapur – një aktor që shtiret si viktimë, që ulërin nëpër forume ndërkombëtare për “drejtësi”, por që në prapaskenë kërcënon, nxit tensione dhe përgatitet për të goditur në qoftë se nuhat dobësinë e kundërshtarit. “Ulërimat” e Serbisë kundër marrëveshjes së mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë (18 mars 2025) shfaqin frikën e saj, jo nga sulmi të cilin e din se nuk do të vijë, por nga dështimi i planeve “grabitçare”. Pas marrëveshjes e cila përfshin: – bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, – ndërveprimin në edukim, trajnim e stërvitje, – rritjen e qëndrueshmërisë kundër kërcënimeve hibride dhe – mbështetjen për integrimin euro-atlantik, të nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve në Tiranë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq akuzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për fillimin e një “gare armatimi” në rajon, duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës. Ministri i Mbrojtjes, Branislav Gashiq e quajti marrëveshjes “provokim” që bie ndesh me përpjekjet për sigurinë rajonale. Ndërkaq, Ministria e Jashtme u kërkoi Tiranës dhe Zagrebit shpjegime për përfshirjen e Kosovës, duke vlerësuar se marrëveshja minon stabilitetin rajonal. Mirëpo, këto zhurma të Beogradit morën përgjigje të shpejtë e të qartë nga Kroacia dhe Kosova, përmes ministrit të Mbrojtjes, Ivan Anusiç dhe presidentes Vjosa Osmani, që theksonin se “ka kaluar koha kur pyetej Serbia”. Ankesat e Vuçiqit për marrëveshjen e dy vendeve të NATO-s dhe Kosovës që është brenda orbitës së saj përmes KFOR-it, nuk kaluan as te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë takimit në Bruksel. Serbia e di se marrëveshja nuk paraqet kërcënim ndaj saj, por strategjia e saj kërkon të bëjë rolin e viktimës, të shtiret e të shmanget si hienë, duke përgatitur terrenin për sulmin e ri në emër të mbrojtjes. Vazhdimi i propagandës perfide kundër NATO-s ndërsa kamuflohet si “e pafajshme” dhe armatosja e saj agresive ndërsa sillet si “viktimë”, e vërtetojnë këtë rol të saj të koordinuar me Rusinë, për apetitet e tyre gjeopolitike. Për këtë arsye, përvjetori i ndërhyrjes së NATO-s është një datë për ta kujtuar domosdoshmërinë e saj. Narrativat që synojnë ta shndërrojë agresorin në viktimë nuk janë vetëm manipulim – janë kërcënim për të ardhmen. Pikë.
/KosovaPress/