Sa të rëndësishme janë informatat e inteligjencës amerikane për Ukrainën?

Sa të rëndësishme janë informatat e inteligjencës amerikane për Ukrainën?

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta kufizuar përkrahjen e Ukrainës me informata të inteligjencës do t’i dëmtojë rëndë aftësitë e Kievit për ta mbrojtur veten kundër Rusisë, por nuk do nënkuptojë fund për përpjekjet e Ukrainës për të luftuar, thonë zyrtarët dhe analistët.

Uashingtoni njoftoi më 5 mars se vendosi kufizime ndaj ndarjes së informatave të inteligjencës me Ukrainën, pasi paraprakisht e kishte pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin, shkruan REL.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se kufizimet e reja ndaj ofrimit të informatave të inteligjencës burojnë nga shqetësimet e presidentit Donald Trump në lidhje me përkushtimin e homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndaj paqes, pas takimit katastrofik mes tyre në Zyrën Ovale javën e kaluar.

Si po i përdor Ukraina informatat e inteligjencës amerikane?

Përmasat, natyra dhe ndikimi i ndihmës së informatave të inteligjencës së SHBA-së për Ukrainën nuk janë bërë të ditura. Po ashtu, nuk është e qartë se deri në çfarë pike është pezulluar ndarja e informatave të inteligjencës, ose në cilat fusha të veçanta po ndodhin pezullimet.

Dy zyrtarë amerikanë të Mbrojtjes i thanë CNN-së më 7 mars se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndajnë informata të inteligjencës me Ukrainën për ta ndihmuar në operacionet mbrojtëse, por e kanë “kufizuar” ofrimin e informatave të inteligjencës që mund të përdoret për t’i sulmuar forcat ruse.

Disa ekspertë dhe politikanë që folën për Radion Evropa e Lirë (REL) thanë se Shtetet e Bashkuara po i japin Ukrainës të dhëna kyçe – të mbledhura përmes mbikëqyrjes së sofistikuar satelitore, kapjes së sinjaleve dhe informacionit nga burimet njerëzore – për vendndodhjen dhe lëvizjen e trupave ruse, armëve të rënda dhe sulmeve të tyre të planifikuara.

Maxar, kompania amerikane që ofron imazhe satelitore me rezolucion të lartë, tha për Current Time se klientët e saj ukrainas po përballen me kufizime për t’u qasur në të dhënat që ofrohen nga Shtetet e Bashkuara.


“Maxar ka kontrata me Qeverinë e SHBA-së dhe dhjetëra shtete aleate dhe partnerë në mbarë botën për të ofruar imazhe satelitore dhe të dhëna të tjera gjeospatiale,” tha një zëdhënës i Maxar-it për Current Time.

“Një nga këto kontrata është GEGD, një program i Qeverisë amerikane që ofron qasje në imazhe satelitore komerciale, që janë caktuar dhe grumbulluar nga Qeveria e SHBA-së. Qeveria amerikane ka vendosur t’i pezullojë përkohësisht llogaritë ukrainase në GEGD”, tha ai.

Të dhënat e inteligjencës amerikane ia kanë mundësuar ushtrisë së Ukrainës t’i planifikojë sulmet dhe operacionet e saj, si dhe të marrë paralajmërime në kohë për sulmet ajrore ruse, si dhe sulmet tokësore, thanë ekspertët.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin, Kiev, janë goditur vazhdimisht nga sulme ajrore.

Roman Kostenko, sekretar i Komitetit Parlamentar të Ukrainës për Sigurinë Kombëtare, Mbrojtjen dhe Inteligjencë, tha se mungesa e informatave jetike të inteligjencës amerikane e vë “në rrezik më të madh” jetën e ushtarëve dhe civilëve ukrainas.

“A mund ta godasim ne [ende] armikun pa informata të inteligjencës së jashtme? Po, sigurisht. Për shembull, mund t’i godasim objektivat e palëvizshme – si një pistë të largët ajrore – që ne tashmë i dimë”, tha Kostenko, ish-komandant ushtarak.

“Por, [ne mbështetemi te inteligjenca amerikane] për të parë në kohë reale nëse atje janë avionë, nëse ata po përgatiten për t’u ngritur për ta sulmuar Ukrainën”, shtoi ai.

Ukraina gjithashtu varet nga të dhënat e SHBA-së për t’i përdorur sistemin raketor të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (HIMARS) dhe sistemin raketor taktik ushtarak (ATACMS), të cilat janë ndër sistemet më të avancuara të artilerisë në botë.

Ekspertët thanë për REL-in se pezullimi i ndarjes së informatave të inteligjencës përfshin edhe të dhënat për HIMARS dhe ATACMS, që nënkupton se do t’ia pamundësojnë Ukrainës përdorimin e tyre kundër Rusisë.

Lexo edhe

Video