Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga UNESCO në vitin 1999 dhe festohet globalisht që nga viti 2000. Sipas UNESCO-s nga rreth 6 mijë gjuhë që fliten në botë, rreth 2 mijë e 500 rrezikojnë të zhduken.
Qytetarët me rastin e kësaj dite flasin se sa po ruhet dhe kultivohet në ditët e sotme gjuha shqipe.
Sejdi Halimi thotë se gjuha shqipe po huazon shumë fjalë të huaja sidomos nga gjuha angleze, dhe se nuk është e nevojshme pasi ajo përmban një thesar të pasur. Ai thotë se duhet të kontribuojmë në ruajtjen e gjuhës shqipe, e jo të huazohen fjalë të huaja.
Fehmi Sogojeva thotë se gjuha shqipe po rrezikohet pasi po përdoren shumë fjalë nga gjuhët e tjera. Sipas Sogojevës kjo nuk është e nevojshme kur i kemi fjalët tona, dhe duhet të pasur kujdes që të mos dëmtohet gjuha shqipe.
Dem Ibërdemaj thotë se globalizmi po ndikon në të gjithë botën, në të gjitha fushat, por përdorimi i shumtë i fjalëve të huaja është i panevojshëm, ai thotë se është e kuptueshme kur përdorën fjalët që kanë të bëjnë me shpikje të ndryshme teknologjike, ato mund të tolerohen.
Gani Musliu thotë se gjuha shqipe po rrezikohet dhe se ka nevojë të pasurohet, por jo të vendosen fjalë pa vend.
Një ndër sfidat më të mëdha me të cila përballen gjuhët në botën moderne është globalizmi, pasi që rrezikon grupet e gjuhëve më të vogla. Në 90 vjetët e fundit janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz.
Artikulli i plotë në sistemin me parapagim.
/KosovaPress/