Sa ka arritur Kosova këto 17 vite, flasin qytetarët

Në 17 vjetorin e Kosovës, qytetarë të shumtë kishin dalur për të parë parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Të njëjtit, u shprehën shumë të kënaqur me arritjen e Kosovës në fushën e sigurisë.

Qytetari Gani Kçiku u shpreh për KosovaPress, se shteti duhet të blejë dhe aeroplanë, përndryshe ka përparuar mjaftueshëm.

Ndërsa, për thashethemet se FSK-ja nuk po ushqehet në mënyrën e duhur, ai tha se populli po e sheh të vërtetën.

“E pash parakalimin, tash le të vijë Serbia, le të vijnë këtu se i tregojmë ne. Shumë mirë është, por disa pisa po thonë nuk ka bukë ushtria, ne si popull po e shohim. Tani shteti duhet të blejë aeroplanë, ky shtet ka përparua mjaftueshëm, por duhet akoma më shumë”, u shpreh Kçiku.

Ndërsa, Azem Sheqiri tha se Kosova vetëm po shkon duke u forcuar, duke e paramenduar se si ka qenë ky shtet më parë.


Sipas tij, të gjithë duhet të jenë të gatshëm për të mbrojtur atdheun, duke shpresuar të mos vije puna deri aty.

Ai shpalosi edhe disa kujtime të tij, në këtë shesh të Prishtinës vite më parë.

Po ashtu, Qamil Dili shtoi se të arriturat deri më tani, janë shumë të mira, duke kujtuar se sa ka shkelur Serbia këtë vend, e si ka qenë para disa viteve.

Dili ka një lutje për të gjithë politikanët e Kosovës, “bashkim për inati të Serbisë, për njerëzit që kanë dhënë jetën për këtë vend”.

E për fund, qytetari Ibrahim Abdullahu vijoi se të arriturat e vendit janë deri diku. Sipas tij, shteti duhet të veprojë më shumë për të liruar më shpejt ish-krerët e UÇK-së, që po mbahen në Hagë.

Sot Kosova po shënon 17 vjetorin e pavarësisë së saj.

Lexo edhe

Video