“Rritja e buxheteve evropiane të mbrojtjes dhe rritja e prodhimit në industrinë e pajisjeve ushtarake janë të nevojshme për të siguruar Evropën”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
“Ne do të duhet të shpenzojmë më shumë për të mbajtur veten të sigurt”, i tha Rutte gazetës gjermane Welt am Sonntag (WamS).
Ai më tej shton se “Por ne gjithashtu duhet të rrisim shpejt prodhimin tonë të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut…për një kohë të gjatë, ne kemi prodhuar shumë pak”.
Sipas tij, duhen municione, anije, tanke, aeroplanë, por edhe satelitë dhe drone.
Vendet evropiane po nxitojnë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të ruajnë mbështetjen për Ukrainën pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ngriu ndihmën ushtarake për Kievin dhe ngriti dyshime për angazhimin e Uashingtonit ndaj aleatëve evropianë.
Udhëheqësit e BE-së kanë mbajtur takime lidhur me sigurinë e kontinentit, ku diskutuan për zgjerimin e shpenzimeve të mbrojtjes, përtej kufijve të rreptë të buxhetit për sektorë të tjerë.
Rutte tha se ai ishte takuar me shumë krerë të kompanive prodhuese të mbrojtjes dhe u kërkoi atyre t’i përgjigjen kërkesës më të madhe.
Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vijë në Kosovë më 11 mars, një ditë pas vizitës së tij në Bosnje e Hercegovinë.
Rutte do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KosovaPress.