Në spitale janë dërguar trupat e 13 palestinezëve, 9 prej të cilëve u nxorën nga rrënojat në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, në të cilën u arrit armëpushim pas sulmeve të ushtrisë izraelite që zgjatën rreth 16 muaj.
Në një deklaratë me shkrim nga ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se në ditën e 28-të të armëpushimit, janë ndarë informacione të reja lidhur me numrin e jetëve të humbura dhe të plagosurve që janë shënuar në sulmet izraelite, transmeton Anadolu.
Gjatë 24 orëve të fundit në spitale janë sjellë 13 trupa të pajetë dhe 16 të plagosur. Nëntë prej atyre që humbën jetën janë nxjerrë nga rrënojat ndërsa katër prej tyre kanë humbur jetën në sulmet e reja.
Në deklaratë vihet në dukje se numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite, trupat e të cilëve u sollën në spitale që nga 7 tetori 2023, është rritur në 48.284 ndërsa numri i të plagosurve në 111.709.
Gjithashtu, nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve. Ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak të pengesave nga forcat izraelite.
Shefi i zyrës për media të qeverisë në Gaza, Salama Marouf në një deklaratë më 2 shkurt tha se më shumë se 14 mijë palestinezë kanë mbetur nën rrënoja.