Të paktën 144 persona kanë vdekur dhe më shumë se 730 janë plagosur nga tërmeti i fuqishëm me fuqi 7.7 që goditi Mianmarin, sipas kreut të qeverisë ushtarake të vendit.
Shkalla e vërtetë e dëmit të shkaktuar nga tërmeti i fuqishëm të premten ende mbetet e paqartë, pasi lufta civile e ka bërë të vështirë mbledhjen e informacionit të besueshëm.
Megjithatë, ekspertët po japin shenja për përmasat e kaosit në terren, ndërsa vendi, i paaftë për të përballuar katastrofa natyrore, po përjeton pasojat.
Hari Kumar, inxhinier civil dhe koordinatori rajonal i GeoHazards International, tha për CNN se spitali i përgjithshëm i Mandalay është plot dhe nuk pranon më pacientë, duke shtuar se ka mungesë energjie dhe uji. Ai vuri në dukje se kapaciteti për të trajtuar pacientë është shumë i kufizuar.
James Jackson, ekspert i tërmeteve në Universitetin Kembrixh, e krahasoi tërmetin me një “thikë të madhe që pritet në Tokë”, duke shkaktuar lëvizje anësore, transmeton KosovaPress.
Ai tha se tërmeti zgjati një minutë dhe se goditje të tilla mund të shkaktojnë probleme edhe në qytete të tilla si Bangkoku, që nuk kanë tërmete, por janë të ndjeshme ndaj dridhjeve.
Fabrice Cotton, ekspert i tërmeteve në Qendrën GFZ, e krahasoi tërmetin me atë që goditi Turqinë në vitin 2023, ku humbën jetën mbi 55 mijë persona.