Pesë persona janë dërguar në stacionin policor pasi janë përfshirë në një rrahje në rrugën “Lidhja e Prizrenit” sonte në kryeqytet.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për KosovaPress se si pasojë e rrahjes pesë persona janë lënduar dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim mjekësor.
“Sot rreth orës 20:00 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes pesë persona janë lënduar dhe të njëjtit menjëherë kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Ahmeti.
Ajo shtoi se policia ka shoqëruar në stacionin policor pesë persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rast, ndërkohë policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve.