Sulmuesi i Real Madridit, Rodrygo Goes, është ai që jep maksimumin për skuadrën në netët e mëdha në UEFA Champions League.
Ylli 24-vjeçar duket se do të kursejë më të mirën e tij për kompeticionin kryesor të futbollit evropian dhe kështu do të ketë një rol kyç për të luajtur të mërkurën kur “Los Blancos” do të përballen me Atletico Madridin në ndeshjen e dytë të raundit të 16-të .
Përpara ndeshjes së madhe, Rodrygo foli në nëj intervistë për UEFA-n, duke diskutuar ndër të tjera lidhjen e tij të veçantë me Champions League, transmeton KosovaPress.
Rodrygo foli edhe për marrëdhënien e veçantë me kapitenin dhe legjendën e Real Madridit, Luka Modric, duke thënë e thërrasin njëri-tjetrin “babë dhe bir”
“Ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë dhe gjëja qesharake është se ai është në të njëjtën moshë me babain tim, kështu që ai më quan bir dhe unë e quaj baba. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe unë jam një tifoz i madh i tij si lojtar dhe si person. Ai më ndihmon çdo ditë. Ne po luanim kundër Chelseat në Champions League dhe ai më tha që kur të merrja topin duhet të sulmoja hapësirën”, tha Rodrugo, përcjellë KosovaPress.
“Modric ka qenë gjithmonë një nga lojtarët e mi të preferuar, gjithmonë kam ëndërruar të luaj me të”, ka shtuar ai.
Në përfundim, Rodrygo deklaroi dashurinë e tij për Real Madridin dhe qytetin e Madridit, duke thënë: “Unë e dua Madridin dhe më pëlqen të jetoj këtu. Është qyteti im i preferuar së bashku me Sao Paulo dhe Santos, të cilat janë vendet prej nga vij. Gjithmonë ka qenë ëndrra ime të jetoj këtu, gjithmonë kam pasur ëndërr të luaj për Real Madridin, kështu që jam plotësisht i lumtur”, tha në fund ai.