Punësimi mbetet një prej sfidave kryesore për logopedët në Kosovë, thotë logopedia, Vlora Rexhepi.
Ajo thotë për KosovaPress se gjatë punës së saj si logopede ka hasur në sfida sipas saj nga mbështetja e pamjaftueshme e institucioneve.
Logopedia fokusohet tek përmirësimi i të folurit.
Rexhepi u bën thirrje institucioneve për punësim të më shumë logopedëve, shkruan KosovaPress.
Ajo gjithashtu thekson kërkesën që çdo shkollë duhet të ketë së paku një logoped.
“Është fakt që numri i logopedëve nuk është i vogël tashmë, kam parë numër të madh të logopedëve që janë të interesuar të punojnë, por nuk ka pasur edhe shumë interesim nga institucionet dhe shumë aplikime, ofrim të punës në logopedi. Mendoj që çdo shkollë duhet të ketë së paku një logopedë dhe më shumë, sepse nevoja është mjaft e madhe”, thekson ajo.
Rexhepi thotë se kostoja e shërbimeve logopedike në klinika private është mjaft e madhe.
“Interesimi dhe nevoja janë mjaft të mëdha, ka shumë interesim por prindërit nuk po dinë se ku të drejtohen. Ata fillimisht drejtohen në kopshte apo shkollën që dërgojnë fëmijën e tyre, dhe thuajse në të gjitha shkollat nuk ka logopedë, as në Prishtinë, e le më në vende rurale. Janë edhe klinikat por kostoja e shërbimeve logopedike është mjaft e madh”, thotë Rexhepi.
Logopedia, është një fushë e cila praktikohet nga specialistë të quajtur logopedë, të cilët janë të aftë të vlerësojnë, diagnostikojnë dhe trajtojnë çrregullime të komunikimit, çrregullime konjitive, çrregullime të zërit dhe të gëlltitjes, shkruan KosovaPress.
Logopedia, kryesisht fokusohet tek përmirësimi i të folurit të fëmijëve e të të rriturve dhe tek përmirësimi i aftësive për të kuptuar dhe për të shprehur gjuhën, përfshirë edhe gjuhën jo verbale. / A. Shala