Regjisori Brady Corbet ka thënë se nuk ka fituar “asnjë dollar” nga filmi i tij i nominuar për Oskar, “The Brutalist”, gjatë një intervisteje në të cilin ai gjithashtu theksoi pasigurinë financiare me të cilën përballen shumë regjisorë të tjerë.
“Unë sapo udhëhoqa tre reklama në Portugali… është hera e parë që kam bërë para ndër vite, me të vërtetë”, tha Corbet në emisionin e tij podcast.
“Unë dhe partnerja ime kemi bërë zero dollar nga dy filmat e fundit që kemi krijuar… Pra ne kemi mbijetuar disi vetëm me një pagë të fituar nga tre vite më parë”, tha ai në një episodë të lancuar të hënën.
Corbet ka fituar pothuajse çdo çmim të madh këtë sezon deri tani. Filmi i tij, një epikë që zgjat tre orë e gjysmë dhe tregon historinë e trilluar të arkitektit Laszlo Toth, një i mbijetuar i Holokaustit hungarez që nis një jetë të re në Shtetet e Bashkuara, është nominuar për 10 çmime Oscar.
Corbet tha se nuk është i vetmi regjisor që po lufton me gjendjen financiare të industrisë, duke shtuar se ka biseduar me shumë të tjerë që “kanë filma të nominuar këtë vit dhe nuk mund të paguajnë qiranë e tyre”.
Pasi filmat e tyre kanë pasur premierë, regjisorët nisin turne promovuese dhe fushata çmimesh, të cilat shpesh janë disa muaj të gjata, i marrin të gjithë kohën e tyre dhe janë të papaguara, shkruan CNN News.
“Filmi ynë pati premierën në shtator, kështu që unë po bëj këtë për gjashtë muaj dhe nuk kam pasur asnjë të ardhur sepse nuk kam kohë për të punuar. As nuk mund të marrë një punë për të shkruar në momentin e tanishëm”, tha Corbet, duke përshkruar “çmendurinë” e udhëtimeve që përfshihen në promovimin e një filmi ndërkombëtarisht dhe në SHBA.
Pavarësisht përmasave dhe ambicies së tij, “The Brutalist” u realizua relativisht me një buxhet të ulët sipas standardeve të Hollivudit, rreth 10 milionë dollarë. Megjithatë, i deshën Corbet shtatë vjet për ta realizuar dhe disa përpjekje për të mbledhur financimin e nevojshëm për të.