Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, ka reaguar ndaj deklarimeve të zyrtarëve komunal rreth mbeturinave.
Në një njoftim për media “Pastrimi” ka akuzuar komunën për gënjeshtra duke thënë se është e papranueshme dhe e turpshme që Komuna e Prishtinës po mban “peng”, dy kamionë për mbledhjen e mbeturinave, duke mos i vënë në funksion për qytetin.
“Dyshimet janë të bazuara: kjo po bëhet për t’i dorëzuar më vonë një kompanie private, e cila pritet të operojë me to. Ky është një keqpërdorim flagrant i pushtetit për interesa private, që tregon qartë prapavijën e vendimeve të Kryetarit Rama. Deklarata juaj, z. Rama, ku paralajmëroni ‘masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj kompanisë ‘Pastrimi’ për shkak të dështimit të tyre të pafalshëm dhe sabotimit të qëllimshëm’, është një përpjekje e hapur për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar një krizë artificiale. Ju rikujtojmë se ndërmarrja ‘Pastrimi’ është ndërmarrje publike që i përgjigjet Kuvendit Komunal dhe jo dëshirave të një individi. Prishtina nuk është pronë private, dhe as ju nuk mund ta trajtoni atë si të tillë”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Sa i përket akuzave për dëmtimin e gjashtë kamionëve, kompania tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Në prani të kamerave të mediave të ndryshme, ne i kemi testuar dhe nuk janë ndezur dhe ju Komuna është dëshmitarë për këtë. Ne ju kemi shkruar email zyrtar që në fillim, duke ju informuar për problemet teknike të kamionëve, sepse duket se ato nuk janë testuar kur i keni blerë dhe kanë pasur probleme të tilla që nga fillimi disa probleme në sistemin elektronik të kompaktorit dhe se deri më tani, nuk keni ndërmarrë asnjë veprim kur dihet se kamionët janë pronë e Komunës dhe kushtet e kontraktimit dhe garancionit janë të lidhura nga ju. Në vend që të ndihmoni në zgjidhjen e këtij problemi, ju keni zgjedhur të gënjeni para mediave duke na akuzuar se ne i kemi dëmtuar kamionët. Kjo është e turpshme”, thuhet tutje.
Sipas kompanisë “Pastrimi”, sot pas konferencës për media, komuna iu ka kthyer emailin zyrtar duke thënë se shpërndarja e kontejnerëve mund të fillojë sot.
“Kjo ndodhi vetëm pasi gazetarët ju pyetën në konferencë se pse nuk po i shpërndani kontejnerët. Nuk është më sekret se ju keni vendosur me çdo kusht që menaxhimi i mbeturinave t’i jepet një kompanie private dhe që “Pastrimi” të eliminohet plotësisht. Kjo nënkupton që mbi 900 punëtorë do të mbeten pa punë, por kjo duket se nuk përbën problem për ju. Fondi prej 16 milionë eurosh është shumë i konsiderueshëm dhe, për fat të keq, po trajtohet më shumë si një mundësi për të shlyer borxhe të tjera sesa si investim në shërbime më të mira për qytetarët”, thuhet në reagim.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve për bllokim, KRM “Pastrimi” ka thënë se po punojnë për ta mbajtur qytetin pastër.
“Lusim qytetarët të na lajmërojnë për çdo rast ku mbeturinat nuk janë mbledhur, dhe ne do të vazhdojmë ta kryejmë detyrën tonë. Qytetarët janë prioriteti ynë dhe ata nuk duhet të preken nga kjo krizë artificiale. Është obligimi ynë të mbajmë qytetin pastër, bashkë me qytetarët. Përpjekjet e komunës për të bllokuar çdo gjë janë të papranueshme, por qytetarët nuk duhet të jenë viktima të kësaj loje politike e personale të Kryetarit. Ata meritojnë një qytet të pastër dhe funksional, dhe ne do të bëjmë gjithçka që ky shërbim të mos ndalet, pavarësisht pengesave të krijuara nga pushteti aktual”, përfundon reagimi.
Në konferencën e mbajtur për media, sot drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci tha sekanë informacione të konfirmuara që kamionët, ndërmarrja “Pastrimi”, i ka prishur, i ka bërë jo funksional dhe jo të përdorshëm. Andaj tha se tani po presin një intervenim nga prodhuesi i këtyre kamionëve për t’i rikoduar.
Komuna e Prishtinës, dhjetë ditë pas shpalljes së gjendjes emergjente për mbeturinat në kryeqytet, fajin po vazhdon t’ia lë kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” duke thënë se gjendja është përkeqësuar ndjeshëm.