Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) njofton se KOSTT, KESCO dhe KEDS kanë dorëzuar kërkesat në rregullatorin për energji për përshtatjen e të Hyrave të Lejuara për vitin 2025.
Sipas ZRrE-së, këto kërkesa janë paraqitur në përputhje me kërkesat ligjore dhe tashmë janë publikuar në faqen zyrtare të rregullatorit, ku janë të qasshme për publikun.
Po ashtu ky institucion bënë të ditur se do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar kërkesat e dorëzuara dhe, pas përfundimit të vlerësimit, do të hartojë një raport për konsultim publik.
“Përgjigja e ZRRE-së ndaj këtyre aplikimeve do të bazohet në një vlerësim të detajuar të dokumenteve të dorëzuara. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE-ja do të hartojë dhe publikojë një raport për konsultim publik, ku do të përfshihen analizat dhe rekomandimet përkatëse. Ky raport do të jetë i disponueshëm për konsultim për një periudhë dyjavore, gjatë së cilës qytetarët dhe palët e interesuara mund të shprehin komentet dhe sugjerimet e tyre. Pas shqyrtimit të komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë periudhës së konsultimit, ZRRE-ja do të propozojë një vlerësim përfundimtar, i cili do të dorëzohet për miratim në Bordin e ZRRE-së”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së, transmeton KosovaPress.
Sipas ZRRE-së ky proces është projektuar për të siguruar transparencë të plotë dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e publikut dhe aktorëve të tjerë të interesuar në këtë proces të rëndësishëm.
“Deri në publikimin e raportit për konsultim publik, ZRRE-ja nuk mund të japë asnjë qëndrim për mundësinë e ndryshimeve të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2025. Çdo spekulim lidhur me rritjen e tarifave, para se të publikohet raporti i ZRRE-së për konsultim publik, është i pavërtetë, i paargumentuar dhe nuk duhet të merret parasysh”, thuhet në reagim.
ZRRE fton të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara që të ndjekin raportet dhe informacionet e publikuara nga ZRRE dhe të kontribuojnë me komentet e tyre gjatë periudhës së konsultimit publik.
“Kjo është një mundësi për të siguruar që çdo ndryshim në strukturën e tarifave të energjisë të jetë i bazuar në një analizë të thellë dhe të marrë parasysh interesat e të gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Këto ditë është raportuar në media se kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.