Sergio Ramos do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin meksikan të futbollit, në CF Monterrey, njoftuan mediat spanjolle. Sipas të përditshmes “Marca”, mbrojtësi iberik iu nënshtrua të hënën një ekzaminim mjekësor në një klinikë në kryeqytetin spanjoll, në prani të disa zyrtarëve të klubit meksikan, përpara se të nënshkruante një kontratë njëvjeçare. Futbollisti pritet të fitojë katër milionë euro, plus bonuse, te skuadra e tij e re.
Sergio Ramos, 38 vjeç, nuk ka pasur asnjë angazhim tjetër që nga largimi nga FC Sevilla në fund të sezonit të kaluar. Mbrojtësi spanjoll luajti ndeshjen e tij të fundit për andaluzianët më 26 maj 2024, kundër FC Barcelona (1-2), përcjellë KosovaPress.
Ish-kapiteni i Spanjës do të jetë bashkëlojtar në CF Monterrey me mesfushorin spanjoll Sergio Canales, me të cilin luajti te Real Madrid në sezonin 2010-2011.