Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama ka theksuar rëndësinë e një mandati të katërt qeverisës të Partisë Socialiste, për të siguruar futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Në podcastin “Flasim”, Rama theksoi se pasaporta e BE-së do të ofronte mundësi të reja për shqiptarët, duke u mundësuar atyre lëvizje të lirë dhe mundësi studimi e punësimi në çdo vend europian.
Rama përshkroi situatën aktuale të pasaportave shqiptare, duke kritikuar trajtimin e bashkëkombësve në kufijtë e BE-së, ku ata shpesh herë përballen me pyetje dhe kontrolle të tepruara nga autoritetet kufitare, shkruan TVSh.
“Ne vërtet s’kemi viza për të lëvizur në Evropë, por ama s’kemi as të drejtë për të qëndruar në një vend të BE-së. Kur arrijmë në kufijtë e BE-së jo vetëm na fusin në radhë, por edhe na marrin në pyetje me policë, të cilët na e kthejnë mbarë e mbrapsht pasaportën tonë dhe ndërkohë na pyesin: Ku po shkon? Sa lekë ke? Kush të ka ftuar? Dhe “kur do ikësh që këtu”, pa hyrë mirë. Ne mund ta mbyllim përfundimisht këtë histori poshtëruese dhe të mos na shikojë askush si dele të zeza nga tufa. Të mos i japim më llogari asnjë polici në aeroport se përse po hyjmë në një vend të BE-së”, tha Rama.
Ai nënvizoi se një mandat i fortë i Partisë Socialiste do të mundësonte një avancim të rëndësishëm në këtë drejtim, duke i dhënë çdo qytetari shqiptar mundësinë për të pasur të drejtat e barabarta me qytetarët e vendeve të BE-së.
“Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030. Kjo pasaportë duhet të ndryshojë. Duhet të shtohet diçka themelore, BE-Republika e Shqipërisë. Për t’ju dhënë pasaportën e BE-së na duhet jo thjesht një mandat i katërt, por një mandat më i fortë. Kush e do pasaportën e BE-së ka vetëm një mundësi dhe një rrugë të bashkohet dhe me votën e bashkuar të na jap këtë mundësi që të pajisim shqiptarët me pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se kjo është mundësia për të mbyllur përfundimisht periudhën e pasigurisë dhe diskriminimit për qytetarët shqiptarë dhe për të hapur një kapitull të ri për lidhjen e Shqipërisë me BE-në, transmeton KosovaPress.
“Me pasaportën e BE-së, Evropa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Evropa. Me pasaportën e BE-së vajzat dhe djemtë e Shqipërisë mund të studiojnë në çdo universitet të Evropës me tarifa të njëjta si student evropian. Me pasaportën e BE-së, çdo shqiptar do të mund të punojë pa leje pune në çdo vend të Evropës. Më pasaportën evropiane çdo shqiptar do të fitojë të drejtën të votojë dhe të kandidojë në BE. Me pasaportën e BE-së çdo ambasadë e BE-së i vjen në ndihmë kudo ku ndodhet një shqiptari që zotëron pasaportën e BE-së”, tha ai.