Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Përkundër që mesazhi i urimit për pavarësi nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është nënshkruar më 13 shkurt, kjo nga zyra e kryeministrit të Kosovës u bë publike sot.
“Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës”, thuhet ndër të tjera në letër urimin e kryeministrit Rama.
Në urimin e tij drejtuar kryeministrit Kurti, e përmes tij të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, kryeministri Rama thekson vullnetin e tij dhe Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm.
KosovaPress ka kërkuar sqarim nga zyra e kryeministrit lidhur me këtë situatë.
