Qytetarët ankohen se po ndihen të mashtruar nga disa pronarë të marketeve, pasi që sipas tyre nuk mund t’i shohin artikujt e skanuar dhe çmimet e tyre tek arka, kjo për shkak se ekranet nuk janë të kthyer edhe nga ana e tyre gjatë blerjes së artikujve. Ata akuzojnë tregtarët me këtë lloj biznesi se kjo po bëhet me qëllim të manipulimit të çmimeve.
Ndërsa, ekspertë të ekonomisë e vlerësojnë këtë si shqetësuese. Ndërkaq, nga shoqata për mbrojtje të konsumatorëve thonë se është veprim i gabuar dhe se duhet të shqiptohen gjoba e ndëshkime.
Ndërkaq, nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë(MINT) thonë se projektligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili është në fazën e fundit të shqyrtimit, në të cilin është adresuar edhe kjo çështje.
Qytetarja Synavere Llapaj thotë se gati për çdo ditë që frekuenton qendrat tregtare has në këtë parregullsi. Sipas saj, kjo duhet të ndryshojë.
Edhe Avdullah Mustafa thotë se manipulimi është i mundshëm për shkak të vendnisjes së gabuar të ekraneve.
Mos vendosja e ekranit të kompjuterëve nga ana e konsumatorit sipas ekspertit të ekonomisë, Adem Qorrolli, nga marketet e mëdha bëhet me qëllim të ikjes së çmimit raft-arkë.
Qorrolli potencon se institucionet mbikëqyrëse duhet të bëjnë kontrolla nëpër qendra tregtare, ngase sipas tij “atë që e sheh shitësi, atë duhet të sheh edhe konsumatori”.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku thotë se mosvendosja e ekranit përballë konsumatorit është veprim i gabuar. Sipas tij, meqë kjo po bëhet për disa vite me radhë dhe nuk po rregullohet pavarësisht ankesave, po bëhet me qëllime të manipulimit.
Kaçaniku thotë se bizneset që bëjnë këtë veprim duhet të gjobiten.
Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga Ministria e Industria, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thonë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) sapo të hyjë në fuqi projektligji i ri do të kërkojmë implementim lidhur me këtë çështje.
Ata potencojnë se IQMT-ja gjatë mbikëqyrjes inspektuese, në rastet kur konstaton shkelje ligjore, shqipton gjoba.
Ndër të tjera, në përgjigjen e tyre thuhet se IQMT-ja në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mision mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë, luftimin e informalitetit dhe garantimin e sigurisë të të gjithë mallrave dhe shërbimeve që qarkullojnë në tregun e Kosovës./Z.Zeneli/
/KosovaPress/