Qendra Muzeore e Krujës me 9 mijë e 307 vizitorë në dy muaj

Qendra Muzeore e Krujës me 9 mijë e 307 vizitorë në dy muaj

Qendra Muzeore e Krujës në dy muajt e parë të vitit ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik ka shënuar një rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan ATSH.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “9307 vizitorë është totali i vizitorëve në qendrën muzeore Krujë, ku numrin më të lartë të turistëve të huaj gjatë muajit janar dhe shkurt 2025 e përbëjnë vizitorët nga Kina, Italia, Spanja dhe SHBA”, përcjell KosovaPress.


“Ndërsa në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë ka një rritje me 20% krahasuar me 2-mujorin e parë të vitit 2024. Konkretisht në janar dhe shkurt ky muze u vizitua nga 8176 vizitorë”, tha Hafizi.

Hafizi tha se “gjatë kësaj periudhe ka pasur një interes të shtuar edhe të studentëve nga Kanadaja dhe Danimarka për Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të cilët kanë mësuar më shumë për historinë e vendit tonë dhe të heroit tonë Kombëtar. Por nuk kanë munguar edhe nxënësit dhe studentët nga Shqipëria dhe Kosova”.

Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë.

Video