Edhe në komunën e Gjilanit, procesi zgjedhor po kalon kryesisht mirë dhe pa probleme të theksuara. Qysh në mëngjes një votues është intervistuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka fotografuar fletëvotimin brenda kabinës së votimit.
Gjatë qëndrimit të ekipit të KosovaPress-it, në qendrën më të madhe në këtë komunë “Abaz Ajeti”, shihej interesim i madh për votim. Në këtë qendër votimi mund të votojnë 13 mijë e 313 votues në gjithsej 15 vendvotime.
Menaxheri i kësaj qendre, Arsim Bejtullahu tha se deri në orën 11:00 votuan mbi 1 mijë qytetarë, ndërsa deri në ora 15:00 pritet që ky numër të arrijë në 3 mijë.
Lidhur me rastin e fotografimit të fletëvotimit, Bejtullahu tha se me këtë çështje po merret Policia e Kosovës.
Qendra më e madhe e votimit në Gjilan “Abaz Ajeti” është ballafaquar edhe me mungesë të stafit te tavolina informuese.
Të drejtë vote në komunën e Gjilanit kanë gjithsej 103 mijë e 616 qytetarë të cilët mund të votojnë në 37 qendra të votimit me gjithsej 129 vendvotime.
Numri i qendrave të votimit është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian.