Komuniteti pakicë nëpër komuna ballafaqohen me probleme mjedisore, pabarazi gjinore, mungesë në vendimmarrje, mungesë të politikave sociale e mosrespektim të gjuhës. Këto janë disa nga telashe që janë identifikuar si të gjetura pas takimeve që Institucioni i Avokatit të Popullit, ka mbajtur në disa komuna të Kosovës, përkitazi me gjendjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, me theks të veçantë të drejtave të komuniteteve.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se nga takimet me qytetarët kanë hasur në një sërë problemesh që i kanë ata. Ai listoi si telashe mungesën e politikave sociale, qasjen në hapësirat publike për personat me aftësi të kufizuara, si dhe kontratën kolektive.
Edhe përkundër thirrjeve, Qelaj tha se nuk është ndërmarrë asgjë për ligjin për financimin e pushtetit lokal.
Ushtruesja e detyrës së shefes së misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor tha se këto takime me qytetarët i kanë informuar ata më shumë për mandatin e Avokatit të Popullit.
Sipas saj, dialogu në mes të institucionit të Avokatit të Popullit dhe popullit është vital.
Ndërsa, Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, u shpreh se komunikimi në mes të nivel lokal dhe atij qendror nuk mungon, derisa shtoi se niveli lokal nuk ka kapacitet për trajtim të problemeve sociale.
Rashiq teksa foli për strategjinë për përfshirjen e pakicave në institucione u shpreh se ky do të ishte mekanizëm i cili do të siguronte përqindje më të madhe të tyre në institucione.
Meral Tejeci-Çela, këshilltare e lartë juridike në Institucionin e Avokatit të Popullit, tha se problemet mjedisore, përdorimi i gjuhës e pabarazia gjinore janë disa nga problemet e identifikuara nga takimet e realizuara.
Takimet e Avokatit të Popullit me qytetarët janë mundësuar nga Misioni i OSBE-së dhe janë mbajtur në Graçanicë, Rahovec, Klinë, Dragash, Mamush, Letnic dhe Shtërpce.