Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara në Hagë ku po gjykohen ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë i pavarur dhe i pa anshëm, tha të martën Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj.
Qelaj, derisa shprehu shqetësim për proceset në Hagë, tha se ka kontaktuar Avokatin e Popullit atje por sipas tij i njëjti nuk ka shprehur interesim për bashkëpunim.
Ai shtoi se institucioni që ai drejton ka raport shumë të kufizuar me këtë gjykatë.
“Unë kam shprehur shqetësimin tim në hetimet e fundit që i ka zhvilluar kjo gjykatë në raport me ekipet mbrojtëse. Kam konsideruar që çdo hetim i mbrojtjes në një proces gjyqësor, lë mundësinë për ndikim dhe ushtrim ndikimi”, tha Qelaj.
Qelaj tha se Avokati i Popullit atje nuk i plotëson standardet sipas instrumenteve ndërkombëtare që përcaktojnë se ky institucion duhet të jetë i pavarur dhe i pa anshëm.
“Sa i përket Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, ka një avokat të caktuar nga gjykata dhe unë kam komunikuar me të njëjtin. Kam parë që nuk ka shprehur interesim për bashkëpunim dhe për më tepër nuk ka ofruar as informata të cilat janë publike ose mund të jenë publike duke u thirrur gjithmonë në konfindencialitet dhe një mbyllje të plotë të atij institucioni në raport me mua si avokat i popullit”, theksoi Qelaj.
Ndër të tjera, Qelaj tha se për shkak të mandatit të kufizuar të Avokatit të Popullit, nuk mund të bëjnë hetime në rastet e kësaj gjykate.