Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur gatishmërinë për t’i ofruar SHBA-së qasje në minerale të rralla, përfshirë ato nga territori i pushtuar i Ukrainës. Kjo vjen pasi presidentit i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë disa minerale në këmbim të mbështetjes, një marrëveshje që aktualisht është në proces finalizimi.
Në një intervistë televizive, Putin tha se ishte i gatshëm të ofronte burime për projekte të përbashkëta me SHBA-në, përfshirë minierat në “territorët e rinj” të Rusisë, një referencë për Ukrainën lindore të pushtuar nga Rusia. Ai gjithashtu sugjeroi bashkëpunim për prodhimin e aluminit në Siberi, shkruan BBC News.
Putin theksoi se Rusia ka më shumë burime natyrore sesa Ukraina dhe se nuk ka shqetësime për një marrëveshje SHBA-Ukrainë për mineralet, duke e konsideruar si mundësi për tërheqjen e partnerëve të huaj. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi propozimin si një mundësi të gjerë, duke theksuar se Rusia ka një sasi të madhe mineralesh të rralla.
Ky propozim i Putin vjen ndërsa Ukraina po përballet me presionin e administratës Trump për të lejuar qasje në mineralet e saj. Ukraina vlerëson se ka rreth 5 për qind të materialeve të rëndësishme të papërpunuara të botës, megjithëse disa prej këtyre mineraleve janë marrë nga Rusia që nga pushtimi.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka propozuar një partneritet me Ukrainën për qasje në mineralet, që sipas komisionerit të BE-së për strategjinë industriale, Stéphane Séjourné, do të ishte një “fitore për të dyja palët”.