Gratë greviste, punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin me anëtarët e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut. Sipas tyre, deputetët s’kanë bërë asgjë dhe i kanë anashkaluar kërkesat e grave greviste, andaj takimi tani është i padobishëm.
Në emër të grave greviste foli kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili tha se zëvendësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës, është çështje ligjore dhe po presin raportin e Inspektoratin e Punës.
Për të diskutuar me gratë greviste doli kryetarja e komisionit, deputetja Duda Balje, e cila kërkoi nga punëtoret teknike të Kuvendit të mbajnë takim, mirëpo që edhe ajo u refuzua.
Pas refuzimit, deputetja Balje vazhdoi mbledhjen e komisionit. Ajo tha se pas takimit me gratë greviste kanë menduar të thërrasin Sekretarin e Kuvendit dhe përgjegjësit e kompanisë së pastrimit në Kuvend.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, tha se shkëputja e njëanshme e kontratës nuk i kontribuon këtij rasti.
Mirëpo ajo tha se ende si komision nuk i disponojnë të gjitha informatat për këtë rast dhe se tani po trajtojnë a janë shkel të drejtat e punëtorëve, rrjedhimisht edhe të njeriut.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se janë shkelur të drejtat e njeriut me rastin e punëtorëve teknike të Kuvendit të Kosovës.