E qeshura nuk është vetëm një shprehje e lumturisë, por edhe një mjet i fuqishëm për ruajtjen e shëndetit fizik dhe mendor.
Stimulon sekretimin e hormoneve të lumturisë, ul stresin, përmirëson qarkullimin dhe forcon sistemin imunitar.
E qeshura çliron endorfinë dhe redukton stresin
“E qeshura stimulon lirimin e endorfinës, hormoneve të lumturisë, të cilat ndihmojnë në uljen e stresit, ankthit dhe depresionit”, shpjegon psikoterapistja Alison Gulnik.
Gjithashtu përmirëson disponimin dhe mund të largojë vëmendjen nga problemet dhe dhimbjet.
Përmirëson funksionet njohëse
“E qeshura rrit lirimin e dopaminës, një neurotransmetues që përmirëson përqendrimin, kujtesën dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve”, thotë psikoterapisti Lowry Douthwaite-Walsh.
Rrit tolerancën ndaj dhimbjes
“Endorfinat e çliruara nga trupi gjatë të qeshurit veprojnë si qetësues natyral kundër dhimbjeve, duke relaksuar muskujt dhe duke reduktuar shqetësimin”, shton Douthwaite-Walsh.
Përveç kësaj, e qeshura redukton reagimin e trupit ndaj stresit dhe nxit ndjenjën e sigurisë dhe lidhjes, shkruan Independent.
Forcon lidhjet sociale
E qeshura është ngjitëse dhe ndihmon në forcimin e marrëdhënieve shoqërore.
“Kërkimet tregojnë se lidhjet kuptimplote sociale janë një nga faktorët më të rëndësishëm mbrojtës për shëndetin mendor”, thotë Douthwaite-Walsh.
Redukton nivelet e hormonit të stresit
Kur jemi të stresuar, trupi ynë sekreton kortizol, një hormon që rrit tensionin.
“E qeshura ul pothuajse menjëherë nivelet e kortizolit dhe ndihmon trupin të kalojë nga një gjendje stresuese në një gjendje të relaksuar”, shpjegon doktoresha Nahid Ali.
Relakson tensionin në trup
Një e qeshur e thellë mund të zvogëlojë tensionin e muskujve deri në 45 minuta, thotë Ali. E qeshura gjithashtu vepron si një ilaç natyral kundër ngurtësisë dhe tensionit të shkaktuar nga stresi.
Mbështet shëndetin e zemrës
“Kur qeshim, rrahjet e zemrës dhe presioni i gjakut për pak kohë rriten dhe më pas bien, ngjashëm me ushtrimet e lehta”, shpjegon Ali.
E qeshura përmirëson qarkullimin dhe redukton stresin në enët e gjakut, dhe disa kërkime sugjerojnë se e qeshura e rregullt mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, transmeton KosovaPress.