Në protestat para institucioneve në Beograd po marrin pjesë serbë edhe nga Kosova, gjegjësisht Shtërpca. Ata kanë dalë në anën e regjimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, e kundër studentëve protestues.
Mediat serbe kanë shkruar disa herë se si Lista Serbe po mobilizon qytetarë serbë nga Kosova për t’i dërguar në mbështetje të Vuçiqit në Serbi.
KosovaPress mëson se serbët nga Shtërpca që po marrin pjesë në demonstratat në Beograd janë financuar me nga 100 euro secili.
Sipas burimeve, këto mjete dyshohet se janë shpërndarë nga Nikola Grbiq, i cili i ka marrë nga Bratislav Nikoliq, kryetar i të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm” të Shtërpcës, i cili gjithashtu ndodhet në Beograd.
Protestat në Beograd kanë hyrë në muajin e pestë. Studentët po kërkojnë përgjegjësi për rënien e çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona. Deri tani dorëheqje kanë dhënë kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq.
Ndërsa sot, në Beograd pritet të mbahet protesta më e madhe deri më tash.