“Protesta në Beograd e paparashikueshme, mund të kalojë në luftë qytetare”

Në mes tensionesh, rreth orës 16:00 pritet të fillojë protesta në Beograd të Serbisë, e cila konsiderohet të jetë më e madhja ndonjëherë në këtë vend. Mijëra studentë nga qytete e fshatra të ndryshme të Serbisë, por edhe protestues të tjerë raportohet të jenë stacionuar para Kuvendit të Serbisë, por edhe te Slavia, ku do të ketë skenë, kor dhe folës.

Pavarësisht se studentët në Serbi po organizojnë protesta duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, politikanët shqiptarë nga Lugina e Preshevës thonë se presidenti Aleksandër Vuçiq, nuk do të jep dorëheqje.

Sipas tyre, protesta e sotme në Beograd është e paparashikueshme dhe mund të ketë përplasje e ndërhyrje të forcave policore.

Ish-deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani në një prononcim për KosovaPress thotë se numri i protestuesve mund të arrijë afro një milion, derisa nuk përjashton tensionet e mundshme.  Ai potencon se kjo protestë është një tregues për Vuçiq se kjo rrugë është e pakapërcyeshme për të.

Një grup i madh burrash të maskuar me të zeza marshojnë nëpër Beograd • KosovaPress


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa thotë se televizionet shtetërore dhe ato që përkrahin Vuçiq nuk po transmetojnë asnjë sekuencë nga protesta e sotme. Sipas tij, RTS dhe disa të tjerë, po shfaqin filma vizatimorë dhe dokumentarë ose pjesë të studentëve që mbështesin Vuçiq.

Përveç tjerash, për KosovaPress Mustafa shprehet se protesta mund të pasohet me incidente gjatë orëve në vazhdim.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi thotë se ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm për protestën e sotme në Beograd, derisa shton se pushteti aktual atje ka paralajmëruar se mund të ketë dhunë.

Ndonëse protesta është paralajmëruar të jetë paqësore, Mustafi thotë se mund të ketë inskenime të situatave nga grupe të kontrolluara të Vuçiqit, për të legjitimuar përdorimin e dhunës. Sipas Ragmi Mustafit, edhe pas kësaj proteste Vuçiq nuk do të jep dorëheqje, derisa shton se këtë të fundin e ka kapur paniku.

Studentët në Serbi kanë organizuar protesta dhe bllokada për katër muaj në disa qytete të mëdha, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes së një strehë betoni në stacionin hekurudhor më 1 nëntor 2024.

Ata kërkojnë publikimin e të gjitha dokumenteve të lidhura me rikonstruksionin e stacionit hekurudhor për të përcaktuar se kush mban përgjegjësi për këtë aksident, ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar protestuesit, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve gjatë protestave të mëparshme. /Z.Zeneli

Lexo edhe

Video