Protesta e madhe në Beograd, hidhet gaz lotsjellës

Protesta e madhe në Beograd, hidhet gaz lotsjellës

Ka përfunduar ndoshta protesta më e madhe në historinë e Serbisë. Pas orës 19:00, studentët hoqën shenjat e tyre dhe njoftuan se protesta e sotme nuk ishte më e tyre pasi shpërthyen disa incidente, si dhe u ndërpre edhe heshtja 15-minutëshe që u mbajt në sheshin Slavia për nderim të 15 viktimave në Novi Sad.

Fakulteti i Arteve Dramatike në Bllokadë, faqe që mbledh studentët e këtij fakulteti, njoftoi se shishet po fluturonin nga drejtimi i parkut Pionir.

“Shishe dhe gurë u hodhën nga drejtimi i parkut Pionir. Kjo protestë nuk është më protestë studentore. Rojet e sigurisë kanë hequr markerët. Kërkohet që të gjithë të largohen nga zona përreth Kuvendit,” thuhet në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale.


Një gazetar i N1 raporton se është hedhur gaz lotsjellës dhe se zona përreth Parlamentit është braktisur.

Nuk dihet ende se kush, si dhe pse i shkaktoi incidentet, pasi protesta masive, e cila mblodhi së bashku dhjetëra-mijëra njerëz, hyri paqësisht në orën e katërt nga fillimi zyrtar në orën 16:00.

Studentët vendosën të tërhiqen në kolegjet e tyre. Në disa televizione u transmetua një video ku shiheshin disa persona duke goditur dhe shkelmuar një të ri që ra në asfalt dhe pak më pas mbërriti një ambulancë.

Presidenti Aleksandar Vuçiq do t’i drejtohet kombit sonte nga ora 22:00. Ministria e Brendshme tha se në protestë kanë marrë pjesë 107 mijë persona, raporton KosovaPress.

Lexo edhe

Video