Prokuroria Speciale e Kosovës ka vazhduar hetimet për disa zyrtarët të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët dyshohen se janë përfshirë në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, ” Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Pas konfiskimit të disak dokumenteve, në këtë ministri kanë intervistuar edhe disa zyrtarë, ndërkohë, këto veprime i ka komentuar edhe vet ministri, Faton Peci.
Ministri Peci është pyetur nga mediat lidhur bastisjet e djeshme më ministrinë që drejton, ku ka falënderuar çdo hetim të është në zbardhje të së vërtetës.
“Disa të ashtuquajtur gazetarë kanë raportuar se unë kam qëndruar deri në ora 12:00 të natës duke fshehur dosje, kjo është njëri prej raportimeve të mediave. Raportimi tjetër ka qenë meqenëse Agjencia Zhvillimore e Bujqësisë është në proces të bartjes nga objekti me qira te objekti i Ministrisë së Bujqësisë, edhe procesi i bartjes ka filluar më shumë se një javë. Ne e përgëzojmë e falënderojmë çdo aktivitet të mekanizmave të drejtësisë që vihet në funksion të zbardhjes së vërtetës. Unë nuk merrem me specifika teknike. Ju e keni pa deri në shpjegimin e ministrisë dhe akterëve, si ka shkuar e gjithë procedura”. Potencoi ai.
Ai pohoi se ditën e djeshme në orën 8:00 të mëngjesit janë intervistuar disa zyrtarë. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë ka deponuar qindra lëndë abuzive dhe financiare që kapin vlerën mbi 500 milionë euro dhe se nuk ka parë asnjë veprim të prokurorisë apo mekanizmave të drejtësisë, raporotn KosovaPress.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka bastisur të enjten Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet janë autorizuar nga Drejtoria e Hetimit te Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave për ta sqaruar rrethanat e çështjes.
Zyrtarët e Ministrisë, sipas njoftimit, dyshohen për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, ” Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.