Profesori serb: Regjimi është i gatshëm të qëllojë me armë mbi popullin e vet

Profesori serb: Regjimi është i gatshëm të qëllojë me armë mbi popullin e vet

Profesori i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe sociologu i njohur, Jovo Bakiq, në një intervistë për revistën “Radar”, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual në Serbi, duke theksuar se regjimi është i gatshëm të përdorë dhunë kundër qytetarëve të vet, përfshirë edhe përdorimin e armëve të ndaluara gjatë protestave paqësore.

“Një pushtet që lavdërohet me serbizëm, përdor armë kundër serbëve ndërsa ata po nderojnë viktimat e korrupsionit shtetëror. Kjo tregon se regjimi i konsideron serbët si armiq,” deklaroi Bakiq, duke komentuar protestat e fundit të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave, sipas pjesëmarrësve, është përdorur armë zanore, raporton Nova.

Duke folur për përdorimin e armës zanore, Bakiq thekson se ajo është përdorur për të shkaktuar trauma psikike dhe lëndime fizike, pikërisht në momentin kur qytetarët po nderonin viktimat. “Kjo është një mesazh i qartë se regjimi është i gatshëm të shkojë deri në fund. Por harrojnë se edhe policët janë pjesë e këtij populli, dhe shumë prej tyre nuk do të pranojnë të qëndrojnë përkrah strukturave kriminale,” theksoi ai.


Ai mbështet thirrjet e studentëve për grevë të përgjithshme, me apel që shoqëria të organizohet më gjerësisht – nga punëtorët e shërbimeve publike deri te arsimtarët. “Nëse GSP mund të ndalet për një ditë, mund të ndalet edhe gjatë ditëve të punës. Edhe ata janë të pazëvendësueshëm,” tha Bakiq.

I pyetur për rezultatin e mundshëm të krizës, Bakiq është i prerë: “Zgjidhja mund të jetë vetëm një – rënia e regjimit. Pyetja është vetëm kur, si dhe me çfarë çmimi.” Ai shton se gjithnjë e më shumë qytetarë, përfshirë botën akademike dhe kulturore, por edhe faktorë ndërkombëtarë, po e kuptojnë se pushteti nuk mund të sigurojë më stabilitet, transmeton KosovaPress.

Edhe pse studentët deri tani nuk janë angazhuar politikisht, Bakiq beson se po vjen koha që të artikulojnë kërkesat e tyre politike. “Ata tashmë kanë bërë shumë. Tani është radha jonë që t’u bashkohemi dhe ta ‘ziejmë këtë mish të fortë’ derisa të shpërbëhet.”

Lexo edhe

Video