Procesi i numërimit të votave nga diaspora, KQZ jep detaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar procesin e numërimit të votave të ardhura nga diaspora. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përmes postës, është duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas Elezit, gjatë ditës së parë, të premten janë numëruar rreth 30 kuti votimi nga gjithsej 178 kuti që përmbajnë fletëvotimet e ardhura përmes postës, raporton KosovaPress.

Elezi theksoi se KQZ-ja është duke zbatuar Ligjin për zgjedhje të përgjithshme dhe aktet nënligjore, duke ndjekur të gjitha hapat e parashikuara për të arritur deri te shpallja e rezultatit përfundimtar për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.

Ai ka thënë KQZ mbetet e përkushtuar për të siguruar një proces transparent dhe të saktë të numërimit të votave, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës që kanë marrë pjesë në zgjedhje.


Në lidhje me kohëzgjatjen e këtij procesi, Elezi u shpreh se “po punojmë maksimalisht që brenda disa ditëve të arrijmë të përmbyllim numërimin e të gjitha fletëvotimeve”, shkruan KosovaPress.

Pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora dhe përfaqësitë diplomatike, KQZ do të fillojë numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Ky proces pritet të zhvillohet në ditët në vijim, me qëllim që të përmbyllet sa më shpejt dhe të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video