Procesi i imunizimit të djemve kundër HPV po zhvillohet pa probleme

Nga fillimi i muajit shkurt në Kosovë ka nisur procesi i vaksinimit të djemve nga mosha 11 deri në 12-vjeç me vaksinën kundër human papillomavirusit (HPV). Procesi i imunizimit me këtë vaksinë po kalon pa probleme ndonëse disa prindër kanë shfaqur hezitime.

Shefja e vaksinimit pranë Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Fetie Fetaj, tha për KosovaPress se procesi i vaksinimit kundër human papillomavirusit ka nisur te vajzat vitin e kaluar dhe deri më tani janë vaksinuar 85 për qind e tyre nga mosha 11 deri në 12-vjeç.

Fetaj thotë se vaksina HPV është e sigurt dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë rast me efekte anësore.

“Janë edhe dy vaksina që jepen – është për klasat 6-7, i përket moshës 11-12 vjeç edhe kjo vaksinë jepet te të dyja gjinitë pikërisht te kjo moshë. Por, e kanë të drejtën vullnetarisht apo me indikacion të vaksinohen vajzat dhe djemtë deri në 21-vjeç… Vaksina është mjaft e sigurt, e testuar dhe e hulumtuar disa herë për shkak se është e përfolur si vaksinë mjaft shumë. Ne e testuam edhe vetë, janë vaksinuar rreth 10 mijë vajza vitin e kaluar dhe asnjë efekt anësor nuk është raportuar”, tha shefja e imunizimit pranë IKSHPK-së.


Vaksina kundër papillomavirusit mbron nga disa lloje të kancerit përfshirë atë të qafës së mitrës.

Nga viti i kaluar, kalendarit të vaksinimit iu kanë shtuar tri vaksina dhe Fetaj thotë se ka një mbulim të mirë të vaksinimit në nivel vendi, me më shumë se 90 për qind të popullatës së imunizuar.

Përveç HPV kundër kancerit të qafës së mitrës, vaksina kundër rotavirusit dhe vaksina kundër pneumokokut e meningjitit i janë shtuar kalendarit të rregullt të imunizimit.

Human papillomavirus (HPV) është emri i një grupi shumë të zakonshëm të viruseve. Ata nuk shkaktojnë ndonjë problem te shumica e njerëzve, por disa lloje mund të shkaktojnë lytha gjenitale ose kancer. HPV ndikon në lëkurë dhe ka më shumë se 100 lloje të ndryshme. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video