Qeveria e Kosovës ka lansuar të enjten pilotimin e shërbimeve të integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës, e cila thjeshtëson qasjen në informacione kyçe për fëmijët e porsalindur si dhe përmirëson ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët.
Kjo nismë e qeverisë është mundësuar përmes projektit të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndërkaq, zbatohet nga GIZ.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u shpreh se përmes këtij projekti prindërit më nuk kanë nevojë “të bredhin nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura për regjistrimin e të porsalindurit të tyre”.
Shërbimet që ofrohen janë regjistrimi i lindjes në regjistrin civil, aplikimi për përfitimet për nënën dhe fëmijën, regjistrimin në sistemin shëndetësor dhe atë të vaksinave, regjistrimi i prindërve në e-kosova.
“Me zgjidhjen që po pilotojmë sot prindërit më nuk kanë nevojë të shkojnë nga një sportel në tjetrin për të kryer procedura të ndryshme, të gjitha të dhënat e nevojshme për regjistrimin e fëmijës për benefitet që iu takojnë, për sistemin shëndetësor e vaksinimin mblidhen që në spital në momentin e lindjes dhe shpërndahen automatikisht tek institucionet përkatëse”, theksoi ai.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se shërbimet integruara për ngjarjen jetësore të lindjes së fëmijës shënojnë hap të rëndësishëm për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.
“Një hap i rëndësishëm drejtë modernizimin të shërbimeve publike në vendin tonë. Qasja e shërbimeve në ngjarje jetësore përfaqëson një transformim rrënjësor në mënyrë se si qytetarët ndërveprojnë me institucione duke sjell shërbime tek qytetari në momentet më të rëndësishme të jetës së tyre”, u shpreh Vitia.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav këtë projekt e konisderoi si një gurthemel i cili thjeshtëson procedurat administrative dhe rrit efikasitetin publik.
Orav theksoi se Kosova ka mundësi unike të bërë reforma kyçe për digjitalizim të administratës publike.
“Ky gurthemel thjeshtëson procedurat administrative, ngrit efikasitetin publik dhe përmirëson qasjen e prindërve, duke integruar institucione kyçe dhe duke ofruar shërbime të personalizuara të shërbimeve. Nisma paraqet një standard të ri për shërbimin për qytetarët. Jam i lumtur që shoh rezultat kaq konkrete pasi që BE i ka dhënë prioritet digjitalizimit përmes ndihmës së saj financiare. Kosova ka një mundësi unike që të bëjë reformat kyçe për digjitalizimin e administratës publike si pjesë e agjendës së përgjithshme dhe do të shpërbehet përmes planit për rritje të plotë të Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.
Lansimin e kësaj nisme e ka mirëpritur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde i cili tha se ky projekt lehtëson qasjen e familjeve të reja në informacionet kyçe për fëmijët e tij.
“Nisja e kësaj ngjarje madhore të lindjes së fëmijës përfaqëson një hap madhor të përmirësimit të shërbimeve publike dhe me lansimin e një faqeje në E-kosova bëjmë informatat kyçe shumë më të qasshme për familjet e reja. Reduktimi i burokracisë është një shtyllë kyçe e qeverisjes së mirë në të gjitha shoqëritë tona. E lavdëroj qeverinë e Kosovës për arritjet që bënë në avancimin e reformave administrative dhe në ofrimin e shërbimeve”, tha ai./KosovaPress
/KosovaPress/