Prishtina shpall gjendje të jashtëzakonshme për mbeturina, fajëson opozitën në kryeqytet

Prishtina shpall gjendje të jashtëzakonshme për mbeturina, fajëson opozitën në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka shpall gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama deri te kjo situatë ka ardhur, pasi koalicioni PDK-Lëvizja Vetëvendosje përmes plotësim-ndryshimit të rregullores po tentojnë ta pengojë angazhimin e kompanive private në menaxhim të mbeturinave.

Rama tha se me veprimet që kishin ndërmarrë përmes angazhimit të një kompanie private për mbeturinat situata ishte përmirësuar.

Kryetari i kryeqytetit u shpreh se përkeqësimi me menaxhim të mbeturinave ka filluar dhe po vazhdon në të gjitha pjesës e Prishtinës.

Ai tha se do ta shfrytëzojnë gjendjen emergjente për angazhim të operatorëve ekonomik privat.

Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci u shpreh se veprimet e partive opozitare PDK dhe Lëvizje Vetëvendosje bien ndesh me ligjet e Kosovës.


Drejtori i Shërbimeve Publike paralajmëroi se do të vazhdojë përkeqësimi i situatës me mbeturina, por theksoi se do të ndërmarrin të gjitha veprimet.

Brestovci u shpreh se kompania “Pastrimi” në mungesë të logjistikës nuk ka shpërndarë as 250 kontejnerët e rinj dhe as nuk e ka bërë regjistrimin e kamionëve të rinj.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, e cila ka vlerësuar se Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij.

“Deri sot në orën 9 të mëngjesit, Rama nuk na kishte dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë, as dokumentet e tyre për regjistrim. Vetëm pak para konferencës, rreth orës 9, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm. Më 07.01.2025, përmes një emaili drejtuar kryetarit Rama dhe z. Bekim Brestovci, kam kërkuar një takim për të koordinuar shërbimet e pastrimit në kryeqytet. U deshën më shumë se 10 ditë për një përgjigje, dhe në atë takim dukej i vendosur që pastrimin t’ua jepte kompanive private, duke treguar qartë mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar këtë çështje. Për më tepër, Rama ka kërkuar nga disa punëtorë të “Pastrimit” të sabotojnë shërbimin, vetëm që të krijojë kaos për të ja dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave kompanisë private dhe të gjejë një arsye për shkarkimin tim (për të cilat kemi fakte të mjaftueshme). Tani, si justifikim për këto dështime të qëllimshme, Komuna ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, duke pretenduar se “Pastrimi” nuk po e kryen punën si duhet. Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim ne 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat. Për ta bërë më të qartë për gjithë qytetarët po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024 ku është negociuar kompania private e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM “Pastrimin”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj kompanie, këtë herë, duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal.

“Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën. Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike. Ne si ndërmarrje publike qëndrojmë të përkushtuar dhe zotohemi para qytetarëve se do të jemi në nivelin më të mirë të cilësisë së shërbimit në grumbullimin e mbeturinave”, thuhet në reagim.

Lexo edhe

Video