Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e komandantit Adem Jashari

Prishtina cakton lokacionin për shtatoren e komandantit Adem Jashari

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha të mërkurën se kryeqyteti e ka caktuar lokacionin për monumentin e komandantit legjendar, Adem Jashari. Komuna, përmes një fotografie, ka treguar se shtatorja do të vendoset në rrugën “Agim Ramadani”, në një hapësirë e cila do të shndërrohet në shesh dhe do të emërtohet “Adem Jashari”.

Rama shkroi në Facebook se familja Jashari e ka dhënë pëlqimin për lokacionin.

“Ky monument do të qëndrojë si dëshmi e përjetshme e lavdisë dhe heroizmit të tij”, shkroi Rama, raporton KosovaPress.


Komuna e Prishtinës të mërkurën përmes seancës solemne, kujtoi dhe nderoi sakrificën e familjes Jashari.

Aty, Rama ndau mirënjohje për familjen Jashari si simbol të sakrificës, raporton KosovaPress.

“Mirënjohja e dorëzuar familjes Jashari nuk është thjesht një simbol, por një zotim i Kryeqytetit se sakrifica e tyre do të mbetet përherë në themelin e shtetit tonë, në ndërgjegjen kombëtare dhe, mbi të gjitha, në zemrat tona”, tha Rama.

Në Kosovë ka nisur sot Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kulmon më 7 mars në atë që njihet si “Nata e Zjarreve”, shkruan KosovaPress.

Lexo edhe

Video