Të martën, kreun e shtetit rumun Klaus Iohannis e kërcënonte procedura e shkarkimit në parlament – me nxitjen e partive opozitare të ekstremit të djathtë.
“Për të shmangur një krizë për Rumaninë dhe qytetarët rumunë, unë do të jap dorëheqjen nga posti im,” tha Presidenti Klaus Iohannis në një fjalim në kryeqytetin Bukuresht. Dorëheqja e tij pritet të bëhet të mërkurën. Presidenti i Senatit Ilie Bolojan do të marrë përkohësisht rolin e kreut të shtetit, transmeton DW.
Pas anulimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, pati kritika për vazhdimin e qëndrimit të Iohannis. Në fakt, mandati i dytë dhe i fundit i këtij politikani proevropian ka skaduar më 21 dhjetor. Iohannis atëherë kishte deklaruar se donte të qëndronte në detyrë derisa të zgjidhej pasardhësi i tij.