Kreu i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan, i cili ishte donatori më i madh pas tërmetit në Durrës, do të arrite të dielën për një vizitë në Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një postimi sot në rrjetin Facebook.
“Nesër kemi një vizitë shumë speciale. Për herë të parë zbret në Shqipëri si president i Emirateve të Bashkuara, sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i vjetër i shqiptarëve dhe shumë i dashur i imi personalisht. Ai ka zbritur në Shqipëri më parë ’99, mbi pistën e Aeroportit të Kukësit, që u shtrua nga i ati, themeluesi i Emirateve të Bashkuara në mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulur me dhunë nga Kosova”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se vizita e kreut të Emirateve është e rëndësishme për forcimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
“Bin Zayed ishte donatori më i madh pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës. Lagja e re shembullore e rindërtimit në spital është financuar i gjithi nga ai. Ai nxiti marrëveshjen për portin turistik të Durrësit si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për lidhjen nënujore të energjisë”, ka thënë Rama.