Prada është në bisedime për të blerë markën e modës Versace nga investitori amerikan Capri Holdings për një çmim që mund të arrijë deri në 1.5 miliardë euro. Prada me bazë në Milano dhe Capri në Nju Jork, mund të arrijnë një marrëveshje për Versace këtë muaj, sipas Bloomberg, megjithëse bisedimet mund të dështojnë.
Një marrëveshje do ta sillte markën Versace prapë nën pronësi italiane dhe do ta bënte Pradën më të madhe në përpjekjen e saj për t’u konkurruar me LVMH-në franceze, që zotëron marka luksoze si Louis Vuitton, Moët & Chandon dhe Hennessy.
Prada u themelua në vitin 1913 në Milano nga Mario Prada, por që nga vitet e 70-ta është udhëhequr nga mbesa e tij, Miuccia Prada. Capri, që dikur quhej Michael Kors, u riemërua pasi marka amerikane mori kontrollin mbi prodhuesin e këpucëve Jimmy Choo në vitin 2017, dhe pastaj mbi Versace në vitin 2018.
Një shitje për 1.5 miliardë dollarë do të përfaqësonte një humbje për Capri. Michael Kors bleu Versace-n për 2.1 miliardë dollarë, por marka italiane ka pasur vështirësi në vitet e fundit.
Capri raportoi të ardhura prej 193 milionë dollarësh për Versace në tre muajt e fundit të vitit 2024, një rënie prej 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Parashikohet që kompania të jetë me humbje këtë vit financiar dhe të arrijë ekuilibër në vitin e ardhshëm, transmeton Theguardian.
Versace nuk prodhon artikuj si bagazhet, të cilat mbeten shitës të qëndrueshëm për marka si Louis Vuitton gjatë periudhave më të ngadalta. Po ashtu, ka pyetje nëse marka do të mbetet nën udhëheqjen e Donatella Versace, dizajneres që nga vdekja e vëllait të saj, Gianni, në vitin 1997.
Në Javën e Modës në Milano, Miuccia Prada tha se marrëveshja për Versace ishte “në tavolinën e të gjithëve”.
Prada ka marrë qasje në të dhënat financiare dhe shitjet më të fundit të Versace pas përfundimit të verifikimit të parë, raporton Bloomberg, përcjell KosovaPress.
Capri ka thënë se është optimiste për potencialin e rritjes afatgjatë të Versace, por parashikimet e saj tregojnë për një rënie të shitjeve nga 810 milionë dollarë në vitin financiar aktual në 800 milionë dollarë vitin e ardhshëm. Megjithatë, kompania parashikon se shitjet do të rriten në 900 milionë dollarë deri në vitin 2028 dhe në 1.5 miliardë dollarë në afat të gjatë. Agjencia S&P Global Ratings ulën vlerësimin e borxhit të Capri në shkurt, duke thënë se presionet e performancës dhe huamarrjet e larta mund të paraqesin probleme në shlyerjen e borxheve të saj, shkruan the Guardian.
Capri mori një goditje në vitin 2024 pasi Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA, i cili rregullon çështjet e konkurrencës, paditi për të bllokuar një marrje të Capri nga Tapestry, kompania nënë e markës Coach, për 8.5 miliardë dollarë.