Politikanë dhe bashkëpunëtorë shkojnë për ngushëllime në familjen e ish-presidentit Thaçi

Politikanë e bashkëpunëtorë kanë vizituar të hënën familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi. Ata kanë shprehur ngushëllime dhe e kanë kujtuar atë si njëri me vlera të larta.

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi tha se Haxhi Thaçi ka udhëhequr jo vetëm familjen e tij por ka kontribuar edhe në edukimin e brezave.

Ai nënvizoi se dhimbja ishte edhe më e madhe për shkak të mungesës së Hashim Thaçit, i cili ndodhet në Hagë duke u përballur me një proces të tejzgjatur gjyqësor.

Do ta kujtojmë gjithmonë për vlerat e jashtëzakonshme që i ka pasur”, tha Krasniqi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në Burojë për ta ngushëlluar familjen e presidentit Hashim Thaçi, tha se është padrejtësi që ai nuk është afër familjes.

Dhimbja po rritet, ne jemi shqiptarë, na vjen keq kur familjet tona kalojnë këto dhimbje, kuptohet edhe kur bëhen këto padrejtësi, si rasti i presidentit që nuk është këtu me familjen”, tha Haradinaj.

Ish nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj gjatë vizitës së tij për ngushëllime është shprehur se dhimbjen e familjes po e shton fakti që Hahsim Thaçi ndodhet në Hagë.

E kushëriri i familjes Thaçi, Milazim Thaçi rrëfeu kujtimet me të ndjerin.

Tash së fundmi, unë kam qenë shumë me të, po qysh nuk jemi rritë, jemi plakur [bashkë]. Ai ka qenë njeri i urtë, punëtor, ka punuar shumë, i ka rritur fëmijët me skamje të rënda. Kohën e luftës shumë ka qenë i fortë edhe na jepke gajret shumë ‘hiç mos u mërzitni se Kosova ka me u çliru’. Ligsht, u mërzitke shumë, thoshte ‘Hashimi, Hashimi, sikur të vinte, ma po dua ta pres’. Po ja nuk e priti”, tha ai.

Varrimi i Haxhi Thaçit do të bëhet nesër në ora 15:00 ne varrezat e fshatit Burojë.

Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.


Ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur nga Haga në Kosovë.

“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.

Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. /A.Shala.

https://kosovapress.com/a-do-ti-lejohet-thacit-te-marre-pjese-ne-varrimin-e-babait

Lexo edhe

Video