Policia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës realizoi trajnim të përbashkët me policinë ushtarake të Kroacisë, në kuadër të bashkëpunimit bilateral.
Fokusi i trajnimit, sipas FSK-së, ishte në fushën e Mbrojtjes së Afërt dhe Anti-Terrorizmit, me qëllim përmirësimin e aftësive të personelit të dy forcave policore në menaxhimin e situatave të sigurisë dhe luftimin e kërcënimeve të mundshme.
“Gjatë trajnimit, janë zhvilluar aktivitete intensive që kanë përfshirë qitje me armë të shkurtra dhe të gjata [ditën dhe natën], si dhe skenarë të ndryshëm për pastrimin e objekteve, ngasjen e automjeteve në poligonin përkatës me pengesa dhe shoqërimi-sigurimi i VIP gjatë ecjes në natyrë”, njoftoi FSK-ja të mërkurën.
Përveç trajnimit intensiv, gjatë kësaj periudhe është realizuar një shkëmbim përvojash dhe njohurish mes dy palëve pjesëmarrëse.
FSK-ja tha se ky aktivitet i përbashkët është një hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të Policisë Ushtarake të FSK-së, dhe asaj të Kroacisë.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/nenshkruhet-marreveshja-ushtarake-mes-kosoves-shqiperise-dhe-kroacise
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Marrëveshja e nënshkruar të martën përfshinë pika të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, ndër të cilat edhe kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euro-atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.
Kjo ujdi u tha që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin./KosovaPress
/KosovaPress/