Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Prizren, në vazhdën e trajtimit të një rasti, nën dyshimin për trafikim me lëndë narkotike, kanë arritur të identifikojnë të dy të dyshuar.
Policia ka hasur dhe sekuestruar substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit marihuanë, me peshë 10 kg e 510 gr, një armë zjarri kalibër 7.62 mm, me një karikator me 8 fishekë, dy automjete me targa vendore dhe tre telefona, raporton KosovaPress.
“Operacioni ka vazhduar me kontrollimin e një shtëpie dhe një lokali, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë tjera: Substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit marihuanë, me peshë 874 gram, katër fishekë, dy peshore elektronike, dy kuti me pajisje për pastrim të armëve, një foli plastike dhe të holla 3965 euro. Lidhur më rastin janë ndaluar dy të dyshuar: N.I., (viti i lindjes 1985, mashkull kosovar) dhe E.M., (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, policia ka informacione se i përfshirë në rast është edhe një i dyshuar tjetër, i njohur për policinë. Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve dhe me vendim me shkrim të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë.