Policia e Kosovës njofton se dje në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj është vërejtur një person i dyshuar që posedon një armë zjarri. Sipas policisë, menjëherë pas marrjes së informacionit, njësiti patrullues ka arritur në vendngjarje, ku ka identifikuar dhe legjitimuar të dyshuarin R.I, 16 vjeç.
“Gjatë kontrollit, tek i dyshuari është gjetur një armë zjarri (revole), e cila ka rezultuar jofunksionale. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme, ndërsa arma e mbajtur pa leje është sekuestruar”, njofton policia.
Sipas policisë, pas përfundimit të intervistës, rasti është referuar tek prokurori i shtetit, i cili ka iniciuar procedurën ligjore me dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkohë, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar për sigurinë dhe rendin publik dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë.