Para samitit të BE-së në Bruksel, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se për marrëveshjen e fundit ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë, nuk është e nevojshme të konsultohen me Serbinë apo NATO-n duke bërë me dije se marrëveshja nuk ka natyrë armiqësore.
Kjo deklaratë e Plenkoviq vjen pas reagimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova shkelën marrëveshjen e vitit 1996 dhe hapën një garë armësh, raportoi KosovaPress.
“Epo, shpresoj se dikush do të marrë 5 minuta për të lexuar atë tekst. Këto janë marrëveshjet e zakonshme në nivel ministror, mendoj se duke pasur parasysh bashkëpunimin dypalësh që kemi si me Shqipërinë ashtu edhe me Kosovën, ne ishim në gjendje të krijonim një dokument të tillë që do të ndihmonte përpjekjet e tyre në reforma dhe për shkëmbimin e ideve dhe bashkëpunimin e përbashkët”, tha Plenkoviq.
Ai theksoi se Kroacia nuk ka asnjë qëllim armiqësor me këtë marrëveshje.
“Kjo nuk është e natyrës armiqësore, ndaj e kuptoj që problemet tani duhet t’i kërkojmë diku tjetër, por në këtë tekst nuk i ka, dhe Kroacia dhe këto dy vende e kanë marrë këtë në bazë të vendimeve dhe vlerësimeve të tyre, prandaj nuk kanë nevojë të pyesin askënd, as Serbinë e as NATO-n”, theksoi Plenkoviq.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që ka nxitur reagime në Serbi.